Bytyqi nënshkroi në Bruksel marrëveshjen “Erasmus+”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe komisionari Evropian për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tiborn Navracsics, kanë nënshkruar sot në Bruksel marrëveshjen ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e vendit tonë në “Erasmus+”, programin e Unionit për arsim, trajnim rini dhe sport.
Kjo marrëveshje hap rrugë për studentët dhe profesorët, institucionet, organizatat dhe individët, të cilët me nënshkrimin e kësaj marrëveshje janë të barabartë me konkurruesit tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ministri Bytyqi tha se marrëveshja ofron mundësi për të rinjtë, studentët dhe mësimdhënësit që të përfitojnë nga ky program dhe do të ndihmohet forma e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, e cila është tejet e nevojshme.
“Me kombinimin e zyrës së “Erasmus+” në Kosovë dhe asaj në Bruksel, do të kemi mundësi të mobilitetit të studentëve tanë, për stafin mësimdhënës dhe për trajnime të ndryshme”, u shpreh ai.
Ndërsa, komisionari Tiborn Navracsics shprehu kënaqësinë që arsimi në Kosovë do të përfitojë nga kjo marrëveshje dhe theksoi se janë shumë pika ku mund të fillojë menjëherë bashkëpunimi. /Telegrafi/













































