Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ministri në detyrë i Financave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, janë përplasur publikisht lidhur me bllokimin e buxhetit komunal të Prishtinës.

Debati mes tyre ka përfshirë edhe mesazhe politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.


Abdixhiku ka akuzuar Vetëvendosjen për pengimin e buxhetit, duke theksuar se qytetarët e Prishtinës kanë dhënë mesazhin e tyre qartë dhe se ata do ta përsërisin këtë edhe më 28 dhjetor.

Ai ka shtuar se gjatë një viti Kryeqyteti është mbajtur pa buxhet, duke e konsideruar këtë një “sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision”.

“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg… Teksa shpërndanin vitra për votë, pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, vazhduan ta mbajnë për plot një vjet. Koha e tyre po mbaron,” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Nga ana e tij, Murati ka kundërshtuar Abdixhikun, duke akuzuar LDK-në për moskalimin e buxhetit në Kuvend.

Sipas Muratit, nëse buxheti do të ishte miratuar në seancën e fundit, Komuna e Prishtinës nuk do të kishte asnjë problem me financat.

“Lumir Abdixhiku, tregoju qytetarëve të Komunës së Prishtinës pse nuk e votuat buxhetin për vitin 2025! Ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin,” ka shkruar Murati./Telegrafi/