Përfaqësuesja e Norvegjisë ka bërë presion të madh për ta marrë Celinën, ndërsa vetëm pas lejes nga Përfaqësuesja e Kosovës, respektivisht trajneri Albert Bunjaku, Celina do të luaj për skandinavët.

Telegrafi ka kontaktuar trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, i cili ka folur rreth Bersant Celinës dhe futbollistëve të tjerë që kanë luajtur për Kosovën dhe iu kanë bashkuar përfaqësueseve tjera.


“Procesi i seleksionimit dhe koordinimit të Përfaqësueses së Kosovës ka kaluar nëpër procese të ndryshme të cilat normalisht kanë qenë të lidhura dhe të ndikuara qoftë nga situata politike të ndikuara nga kufizimet nga mundësitë por edhe nga vizioni dhe objektivat për të ardhmen”.

“Është shumë normale që ne si shtab teknik kemi prioritet krijimin e një përfaqësuese të fuqishme dhe për këtë është shumë e rëndësishme kontiteti zhvillimi i lojtarëve”, tha Bunjaku për Telegrafin, duke treguar se që nga viti 2011, Kosova ka lënë shumë lojtarë të saj të luajnë nëpër Përfaqësuese tjera duke përfshirë Kombëtaren A të Shqipërisë, grupmoshat e saj dhe përfaqësuese tjera evropiane.

“Mos të harrojmë që prej vitit 2011, kemi liruar nga Përfaqësuesja e Kosovës,shumë lojtarë, duke filluar nga Etrit Berisha, Mërgim Mavraj,Valdet Rama e Herolind Shalën që iu kanë bashkuar Kombëtares A të Shqipërisë dhe që sot janë faktor për kualitetin dhe sukseset e Kombëtares, ndërsa së fundmi edhe Enis Bunjakin e Leart Paqaradën për Kombëtaret e reja të Gjermanisë U18 respektivisht U21, Milot Rashicën për U21 e Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa tani nuk e shoh të arsyeshme që ta pengojmë edhe Bersant Celinën që të luaj me U21 e Norvegjisë, në një ndeshje ku do të luaj ndaj Përfaqësueses së Anglisë, ku luajnë edhe shumë bashkëlojtarë të tij nga Manchester City”, tha Bunjaku.

"Lirimi i tij për këtë ndeshje bëhet shumë më i arsyeshëm sidomos pasi ai do të shkoj të Norvegjia pasi të jetë grumbulluar në kampin e paraparë për reprezentacionin tonë, duke e dëshmuar kështu që prioritet i tij është dhe mbetet reprezentacioni i Kosovës, por duke e parë nevojën për sa më shumë ndeshje për të, është normale ta lejojmë të shkoj në këtë takim".

“Të gjitha këto lëvizje dhe lëvizjet tjera, ne i shohim si mundësi e cila do të reflektojë në zhvillimin e lojtarëve që t’i rikujtojmë edhe njëherë që këta lojtarë të lartpërmendur dhe lojtarët tjerë, kanë ardhur kur Kosova ka pasur nevojë për ta dhe ne do t’i lëmë derën hapur për gjithë ata lojtarë qoftë Januzaj, Xhaka, Shaqiri apo kushdo tjetër që në momentin e pranimit me vetë dëshirën e tyre, duke besuar në projektin e Përfaqësueses së Kosovës, për krijimin e një përfaqësuese të fuqishme evropiane”, vazhdon Bunjaku.

“Për kundër spekulimeve të mëhershme mediale, Celina si gjithë lojtarët tjerë që janë në listë, do të jetë i grumbulluar prej datës 31 gusht deri më datën 3 shtator, i gatshëm të luaj ndaj Burkina Fasos, por edhe në rast se nuk zhvillohet ndeshja, atëherë do të jetë pjesë e kampit së bashku me 23 lojtarët tjerë, ku do t’i kemi gjashtë ushtrime dhe një ndeshje interne”.

“Pas përfundimit të kampit, ai do t’i bashkohet Përfaqësueses së Norvegjisë, ku do të luaj në qytetin ku familja e tij jeton në Norvegji përballë Anglisë e cila në radhët e veta ka pesë bashkëlojtarë të Bersant Celinës”.

“E gjithë kjo është bërë në marrëveshje dhe Bersanti së bashku me prindin e tij kanë kërkuar leje paraprakisht dhe un si seleksionues e shoh këtë gjë si një hap të rëndësishëm për lojtarin, si një mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të tij para pranimit të plotë të Kosovës në FIFA dhe UEFA”.

“Bersant Celina nuk iu është bashkuar Kosovës vetëm pse është i lindur në Prizren, por është pjesë e Kosovës sepse ka besuar dhe beson gjithmonë në projektin e Kosovës se do të ketë një Përfaqësuese të fuqishme dhe faktor në Evropë në të ardhmen”.

"Fakti që shumë reprezentacione lakmojnë futbollistet tanë dhe i shohin ata si pjesë të rëndësishme, duhet të shërbej edhe si tregues i qartë dhe dëshmi për punën pozitive që e kemi bërë, për afrimet e futbollistëve shumë cilësorë dhe me të ardhme të sigurt në nivelin më të lartë evropian. Ashtu siç e kam cekur më lartë disa prej lojtarëve kyç te Shqipëria që është afër Kampionatit Evropian kanë qenë pjesë e jona. Po ashtu Reprezentacioni më i fuqishëm në botë, Gjermania po interesohet për lojtarët tanë e tashmë edhe Norvegjia. Në situatën aktuale këtë duhet ta shohim si rast që këta lojtarë të fitojnë edhe më shumë përvojë ndërkombëtare dhe të jenë edhe më të pjekur kur të nisim rrugën e vërtetë në futbollin evropian dhe ndërkombëtarë", deklaroi Bunjaku. /Telegrafi/

telegrafi sport app