Nga: Robert Fox / Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Të enjten, sekretari i Mbrojtjes, John Healey, paralajmëroi Vladimir Putinin dhe ushtrinë e tij pas raporteve për veprime agresive nga anija ruse e vëzhgimit Yantar, kundrejt një aeroplani të RAF-it [Forcat Ajrore Mbretërore] të dërguar për ta ndjekur atë në Veri të Skocisë.


Healey tha se ekuipazhi i Yantar-it kishte drejtuar rreze lazeri ndaj pilotëve të një aeroplani patrullues detar, RAF P-8. “Ajo që bëri Rusia është jashtëzakonisht e rrezikshme”, paralajmëroi ai. “Ju shohim. E dimë çfarë po bëni. Dhe, nëse Yantar-i kalon më në Jug këtë javë, jemi gati”.

Të përgatitur për çfarë, mund të pyesni? Aktivitetet e Yantar-it rreth ishujve britanikë janë vërejtur prej pothuajse tri vjetësh. Verën parafundit, roja bregdetare irlandeze e vërejti anijen duke qëndruar për gati një muaj pranë Limerikut, afër një prej nyjave kryesore të kabllove transatlantike të komunikimit. Kjo anije i përket agjencisë GUGI të Rusisë, një komandë e veçantë detare tashmë përgjegjëse për mbikëqyrjen oqeanike dhe sabotimin. Në inventarin e GUGI-t përfshihet edhe nëndetësja Belgorod që mund të lëshojë dronë sulmues nënujorë, të aftë për të prerë kabllot nënujore dhe tubacionet e naftës dhe gazit.

Vetëm disa orë para se Healey t’i drejtohej Putinit me paralajmërimin, Komiteti i Mbrojtjes në Parlament përfundoi, pas një hetimi të gjatë, se Mbretëria e Bashkuar nuk është në gjendje të mbrojë veten, territoret e saj apo aleatët - veçanërisht territorin e saj të brendshëm. Raporti, i titulluar “Pyetje mbi aftësinë themelore të Britanisë për t’u mbrojtur”, e thotë troç: “Përfundim: E vëmë në dyshim aftësinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbrojtur Britaninë dhe territoret përtej detit në rast krize ose konflikti”.

Britania nuk po përmbush detyrimin e saj kryesor sipas nenit 3 të Kartës themeluese të NATO-s, që e detyron një shtet të jetë në gjendje të mbrojë veten, në mënyrë që të mund të ndihmojë aleatët. Në mënyrë gati unike, Britania ende nuk ka një plan kombëtar të mbrojtjes të përshtatur me standardet e NATO-s, edhe pse është anëtare themeluese e aleancës.

Ndër dobësitë më të mëdha të theksuara në raport janë mbrojtja e pamjaftueshme nga raketat dhe dronët, veçanërisht për objektet kyçe si Aeroporti Hithrou, Qendra Financiare e Londrës dhe portet e kontejnerëve në bregun lindor.

Imagjinoni këtë skenar: një mëngjes me mjegull, në nëntor, radarët holandezë të mbrojtjes ajrore paralajmërojnë se një tufë dronësh ushtarakë ose raketash lundruese subsonike po i afrohen grykëderdhjes së Temzës dhe Londrës qendrore. “Kemi vetëm një grusht baterish të raketave ajrore Sabre, të shpërndara mes Ishujve Fokland, Polonisë dhe fushës Solisbëri për stërvitje”, thotë analisti kryesor dhe ish-oficeri i Mbrojtjes Territoriale, Francis Tusa. “Do të duheshin disa minuta për të ngritur në ajër fluturimin e shpejtë reagues Typhoon nga Koningsbaji. Deri atëherë, dronët e armatosur mund jenë mbi stacionin Uoterlu në orarin me trafikun më të dendur”.

Armët e reja të luftës në Ukrainë - raketat Iskander e Kinshal, dronët sulmues me dizajn kinez - paraqesin rreziqe të reja. Mbrojtja ajrore e Anglisë është pak më e mirë sesa ajo e përdorur gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2012 në Londër - dhe, edhe atëherë ishte mjaft e dobët. Një goditje e vetme mund të rrëzojë infrastrukturën e qarqeve lindore: rrjetin elektrik, portet e kontejnerëve në Tilbëri ose Filiksstou, bankat e Qytetit të Londrës, stacionet kryesore të hekurudhave si Uoterlu ose Pedington, dhe Aeroportin Hithrou.

Në qershor, qeveria publikoi Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes dhe Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. U premtua rritje e shpenzimeve për mbrojtje - deri në 2.5 përqind të PBB-së deri në vitin 2027, dhe ndoshta 3.5 përqind deri në 2030 - kohë kur do të ketë një qeveri të re përballë një grupi të ri problemesh.

Shërbimet ushtarake janë të nënfinancuara dhe të papërgatitura për krizën për përkeqësim të sigurisë në të gjithë Evropën. Ushtria nuk ka municione, pajisje dhe staf të mjaftueshëm. Ka vetëm 14 artileri të mesme 155 milimetërshe, “dhe më shumë topa ceremonialë sesa armë funksionale për operacione”, thotë një gjenerali aktiv. Dy aeroplanmbajtëset e mëdha nuk funksionojnë ende siç duhet. Ushtria e ka vënë gjithë interesin te tanku zbulues Ajax, që do të kushtojë gati shtatë miliardë paundë për 590 njësi, të cilat sapo kanë filluar të hyjnë në përdorim - dhjetë vjet me vonesë.

Këtë javë, brigadieri Ben Barry, analist veteran i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, dha një vlerësim të zymtë në librin e tij Rritja dhe rënia e Ushtrisë britanike, 1970-2025: “Ushtria Britanike mezi mund të nxjerrë një brigadë të blinduar për nevojë të NATO-së në Evropën Lindore. Polonia po përgatit gjashtë divizione të blinduara dhe Gjermania forca të ngjashme”.

Gjenerali Rupert Smith, ish-komandant i lartë i NATO-s nga Britania dhe zëvendëskomandant i aleatëve gjatë krizës së Kosovës më 1999, e sheh luftën në Ukrainë në një pikë veçanërisht të rrezikshme për aleancën e NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. “Rusia po ndjek një formë të luftës më të ‘të paqartë’ në të gjithë rajonin dhe përtej Ukrainës”, thekson ai.

Me një armëpushim të ngatërruar e të përkohshëm që mund të ndodhë muajt e ardhshëm në Ukrainë, perspektivat bëhen të rrezikshme dhe të paqarta. “Kemi një komb gjigand të armatosur në Ukrainë, me mendje të vete. Rusia ka gjasa ta shfrytëzojë pushimin për t’u riorganizuar dhe armatosur sërish”. Vija e përplasjes do të jetë “më e gjatë dhe më e paqëndrueshme sesa në çdo kohë gjatë Luftës së Ftohtë mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës”.

Mbajtja e paqes, zbatimi i armëpushimit, mbikëqyrja e çarmatimit - do të jenë një makth. Ukraina sot është më e armatosur në sasi dhe cilësi sesa shumica e forcave të NATO-s, përfshirë Britaninë. Rusia aktualisht ka potencialisht dy milionë ushtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe shumë të tjerë në milici lokale, xhandarmëri dhe polici sigurie. Ekonomia, edhe pse e dobët, tashmë është përshtatur për luftë - dhe duket se Putini nuk ka ndërmend ta ndryshojë këtë kurs.

Disa nga autorët e Rishikimit të Mbrojtjes në Britani besojnë se Evropa tani është nën kërcënim të shtuar nga Rusia. “Nuk jemi më në paqe”, deklaroi kancelari gjerman, Friedrich, Merz, javën e kaluar. Megjithatë, në rrethin e brendshëm të Kryeministri dhe në Zyrën e Kabinetit, ka ende njerëz që nuk e pranojnë realitetin. “Ne nuk jemi në luftë me Rusinë”, tha kohët e fundit një zyrtar i lartë - si të ishte duke lexuar nga ndonjë libër optimist të tipit Poliana.

Kjo ka alarmuar komitetin e mbrojtjes në Parlament, si dhe kryetarin e tij nga radhët e laburistëve, deputetin Tan Dhesi. Ai beson se qeveria po ofron shumë pak dhe shumë vonë, dhe nuk po u tregon të vërtetën qytetarëve. “Nevojitet një përpjekje e koordinuar për t’ia komunikuar publikut nivelin e kërcënimit me të cilin përballemi dhe çfarë të presin në rast konflikti”. /Telegrafi/