Papa Françesku, i njohur për thjeshtësinë e tij dhe për përpjekjet për të shmangur madhështinë dhe privilegjet tradicionale të papatit, u përcoll për në banesën e fundit në kishën e shenjtë Santa Maria Maggiore në Romë.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët zakonisht prehen në Bazilikën e Shën Pjetrit brenda Vatikanit, Papa Françesku zgjodhi një vend më modest, duke qëndruar besnik ndaj frymës së përulësisë që e karakterizoi gjithë jetën e tij.


"Papa Françesku u varros në një nga korridoret anësore të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, midis Kapelës Pauline, ku ndodhet ikona e dashur për të e Zojës "Salus Populi Romani" dhe Kapelës Sforza", thuhet në njoftimin e Vatikanit.

Ky vendim shënoi një moment historik, pasi ishte hera e parë pas më shumë se një shekulli që një papë varrosej jashtë territorit të Vatikanit, duke theksuar edhe një herë natyrën e veçantë dhe qasjen e tij ndryshe ndaj rolit papnor, shkruan skynews.

"Riti i varrimit të Papës u parapri nga këndimi i katër psalmeve dhe shoqërohej nga pesë ndërmjetësime (lutje ndërmjetësuese), përpara se të këndohej lutja "Ati Ynë". Pas lutjes përfundimtare, vulat e Kardinalit Kamarling të Kishës së Shenjtë Romake, Kevin Joseph Farrell, të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, të Zyrës së Celebrimeve Liturgjike të Papës dhe të Kapitullit Liberian u vendosën mbi arkivol", shkruan më tutje në njoftim.

Më pas, arkivoli u vendos në varr dhe u spërkat me ujë të bekuar, ndërkohë që këndohej "Regina Caeli". Ceremonia e varrimit, e cila zgjati rreth tridhjetë minuta, u drejtua nga kardinali kamarling, figura që tradicionalisht merr përgjegjësitë e veçanta gjatë periudhës së boshllëkut të papatit.

"Pastaj u krye formaliteti i fundit: noteri i Kapitullit Liberian lexoi aktin që vërtetonte varrosjen përpara të pranishmëve. Ky akt u nënshkrua nga Kardinali Kamarling, Regjenti i Shtëpisë Papnore, Monsinjor Leonardo Sapienza, dhe nga Mjeshtri i Celebrimeve Liturgjike Papnore, Kryeipeshkvi Diego Ravelli", përfundoi njoftimi i Selisë së Shenjtë.

Ndryshe, Papa Françesku vdiq në moshën 88-vjeçare pasi vuante nga pneumonia. /Telegrafi/