Botuesit evropianë në Kosovë: "Dukagjini" dhe EEPG-ja me diskutim shkencor për mësimdhënien dhe rolin e botuesve

Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim (EEPG), në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Dukagjini", po organizon eventin: "Teaching together: Empowering educators and elevating publisher's role in learning" (Mësimdhënia e përbashkët: Fuqizimi i mësimdhënësve dhe rritja e rolit të botuesit në mësimnxënie).
Kjo ngjarje ka mbledhur botues dhe ekspertë të fushës së arsimit nga vende të ndryshme të Evropës, si: Finlanda, Gjermania, Danimarka, Suedia, Estonia, Norvegjia etj., të cilët po prezantojnë punime shkencore për disa nga temat thelbësore dhe aktuale për edukimin sot, siç janë metodologjitë e mësimdhënies, inovacioni në procesin mësimor, integrimi i teknologjisë në mësimdhënie, raporti botues-autor-mësimdhënës etj.
Ky organizim mundëson diskutim profesional dhe shkëmbim përvojash midis botuesve më të suksesshëm dhe më me përvojë në fushën e arsimit nga vende të ndryshme të Evropës.
Përmes diskutimeve të thelluara dhe prezantimeve të mirë strukturuara, pjesëmarrësit kanë mundësinë të diskutojnë për metodologji bashkëkohore nga vendet e tyre, të cilat kanë sjellë rezultate pozitive në fushën e arsimit.
Në qendër të vëmendjes është roli shumëdimensional i mësimdhënësit dhe i botuesit në ndërtimin e një procesi mësimor që u përgjigjet sfidave të shekullit XXI.
Diskutimet po shkojnë përtej teorisë, duke u fokusuar në mënyrën se si materiali i zhvilluar nga botuesit, i kombinuar me përgatitjen dhe kreativitetin e mësuesve, ndikon në cilësinë e të nxënit.
Në këtë aspekt po theksohet nevoja për bashkëpunim të ngushtë mes autorëve të teksteve, botuesve, mësimdhënësve dhe institucioneve, për të ndërtuar një sistem arsimor që është gjithëpërfshirës, i përparuar dhe i përshtatur me nevojat e nxënësve të sotëm.
Nëpërmjet organizimeve dhe iniciativave të tilla, shtëpia botuese "Dukagjini" mbetet e përkushtuar që ta avancojë arsimin në Kosovë, duke ndërtuar bashkëpunime ndërkombëtare që i shërbejnë këtij qëllimi.
Jua rikujtojmë se shtëpia botuese "Dukagjini" është anëtare e EEPG-së që nga viti 2023.


















































