LAJMI I FUNDIT:

Bota duhet të bashkohet tani për të ndalur shtypjen e talebanëve ndaj grave dhe vajzave afgane

Bota duhet të bashkohet tani për të ndalur shtypjen e talebanëve ndaj grave dhe vajzave afgane

Nga: Gordon Brown / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Dy vjetët e represionit gjithnjë të shtuar – qëkur talebanët morën pushtetin në gushtin e vitit 2021 – nuk e kanë zbehur qëndrueshmërinë e vajzave dhe grave në Afganistan, të cilat vazhdojnë ta rrezikojnë jetën duke luftuar për të drejtën e tyre për arsimim dhe për punësim. Por, askush nuk duhet ta ketë asnjë dyshim se ajo që vajzat afgane përjetojnë, nuk është pengesë e përkohshme. Nuk është asgjë më pak se “aparteid gjinor”, fjalë këto rrëqethëse të përdorura kohët e fundit nga përfaqësuesi i përhershëm i Afganistanit në Kombet e Bashkuara. Vetëm një term kaq prekës mund t’i përshkruajë shkeljet e rënda të të drejtave përkatëse. Është koha për ta shpallur si krim kundër njerëzimit dhe prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) duhet ta hapin hetimin mbi represionin e shuguruar nga regjimi taleban.

Edhe tash, nën frikën e arrestimit, të ndalimit dhe torturimit për shkeljen e dekreteve të talebanëve që nëpërkëmbin të drejtat e njeriut, fëmijët e guximshëm, në të gjithë Afganistanin, po i ndjekin shkollat ilegale. Një iniciativë e madhe për mësimin në internet, nëpër universitete, gjithashtu ka filluar kohët e fundit me mbështetjen e agjencisë së refugjatëve, UNHCR, si dhe të konsorciumit për Mësim të Ndërlidhur në Krizë. Shumë familje kanë kuptuar se emigracioni është mundësia e vetme e shkollimit, për vajzat e tyre. Kjo ende i lë rreth 2.5 milionë vajza dhe gra të reja pa arsim dhe atyre së shpejti do t’ju bashkohen edhe tri milionë të tjera që janë gati ta përfundojnë arsimin fillor. Në pamundësi për të shkuar në shkollën e mesme, një brezi tjetër të vajzave afgane do t’ju mohohet mundësia për të realizuar talentet dhe për të përmbushur ëndrrat.


Fuqitë e Lindjes së Mesme dhe vendet me shumicë myslimane, që nga Pakistani dhe Turqia e deri te Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Irani, i janë bashkuar OKB-së për ta dënuar këtë regjim represiv, duke i cituar tekste nga Kurani për të pohuar se nuk ka asnjë justifikim fetar për përjashtimin e vajzave dhe grave nga shkollat e mesme dhe nga universitetet.

Por, fatkeqësisht, mbështetja botërore për kauzën e tyre deri tash ka qenë krejtësisht e pamjaftueshme për ta sjell ndonjë ndryshim të kësaj politike. Teksa vajzat dhe gratë përballen me një moment të ri të rrezikimit, ndërsa klerikët e Kandaharit kërkojnë që OKB-ja t’ia japë fundin roleve të të gjitha grave në punësim, komuniteti ndërkombëtar duhet të mobilizohet – në numër më të madh dhe me forcë të përtërirë – me qëllimin për të dënuar shkeljen e të drejtave të tyre. Është e qartë se përjashtimi i grave dhe i vajzave nga arsimi i mesëm dhe i lartë, i shkel traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në të cilat Afganistani është palë.

Këto shkelje fillojnë me dështimin e vendit për të respektuar konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW). Regjimi po shkel gjithashtu detyrimet e Afganistanit – sipas paktit ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore dhe për konventën për të drejtat e fëmijëve.

Gjerësisht janë dënuar këto shkelje të ligjit detyrues ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Në raportin e tij të vitit 2023, Richard Bennett – raportuesi special për të drejtat e njeriut në Afganistan – vuri në dukje se talebanët në mënyrë flagrante vazhduan të kundërshtojnë CEDAW-in dhe kërkoi që ata “të rivendosnin menjëherë qasjen e barabartë në arsim cilësor, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha kurset për gratë dhe për vajzat”.

Megjithëse Afganistani nuk i ka ratifikuar instrumentet përkatëse që do t’ua mundësonte viktimave të shkeljeve që të bëjnë peticion tek organet e traktatit, mund të mbahet përgjegjës për shkeljet e vazhdueshme, nëpërmjet kërkesave dhe mekanizmave të raportimit të traktateve. Këto ofrojnë mundësi për shqyrtimin e vazhdueshëm të veprimeve të talebanëve dhe për thirrjet ndaj talebanëve për të rihapur shkollat e mesme dhe universitetet.

Por, ekziston një mundësi edhe më e madhe për veprim juridik, kjo sipas ligjit penal ndërkombëtar. Në mars, OKB-ja e njohu të drejtën për arsimim si “të drejtë mundësuese, që në vetvete është thelbësore për realizimin e të drejtave të tjera të njeriut” dhe tha se mohimi i “kësaj të drejtë, për gjysmën e popullsisë, në mënyrë efektive mohon gratë dhe vajzat nga shumica e të drejtave të tjera të njeriut“. Është e njohur se përjashtimi i grave dhe vajzave nga arsimi i mesëm dhe i lartë – kur kjo merret parasysh me të gjitha kufizimet e tjera të vendosura ndaj tyre nga talebanët – mund të përbëjë persekutim. Siç ka vërejtur raportuesi i posaçëm, “në asnjë vend tjetër gratë dhe vajzat nuk janë zhdukur kaq shpejt nga gjithë sferat e jetës publike, ose janë kaq të pafavorizuara në çdo aspekt të jetës”.

Persekutimi gjinor është krim kundër njerëzimit, për të cilin anëtarët individualë talebanë mund të jenë përgjegjës për ndjekje penale – sipas statutit të ICC-së të Romës, në të cilin Afganistani u anëtarësua në vitin 2003. Politika mbi krimin e persekutimit gjinor, e lëshuar nga ICC-ja në dhjetor 2022, vë në dukje se “Persekutimi gjinor privon rëndë një person … nga e drejta themelore për të qenë i lirë nga diskriminimi në lidhje me privimet e të drejtave të tjera themelore, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Për shembull, mund t’i privojë një personi të drejtën për … arsim”. Prokurori i ICC-së duhet ta marrë në konsideratë mbledhjen e informacionit nga shtetet, nga organet e OKB-së, OJQ-të dhe të tjerët për të përcaktuar nëse ka rast për ndjekje penale.

Shtetet individuale gjithashtu mund të veprojnë përmes kornizave të tyre të legjislacionit të brendshëm, për të komunikuar dënimin e tyre ndaj represionit të talebanëve – për shembull, nëpërmjet vendosjes së sanksioneve kundër anëtarëve individualë talebanë.

Komuniteti ndërkombëtar mundet – dhe duhet – t’i përdor këto korniza ligjore, por ka akoma më shumë që mund të bëhet. Së pari, ne duhet të tregojmë se arsimi mund të arrijë te vajzat afgane, duke zgjeruar kurset në internet dhe në radio – të cilat ofrohen nga pjesa tjetër e botës. Kjo do të thotë të rekrutohen më shumë universitete për të ofruar kurse dhe shkolla onlajn, për t’i bërë kurrikulat e tyre të qasshme në internet dhe përmes radios dhe televizioneve.

Së dyti, Arsimi nuk mund të presë, UNICEF-it dhe të tjerëve … duhet t’ju jepen burimet për të shtuar ofrimin e mundësive arsimore për vajzat afgane, brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në Pakistan ku kanë emigruar shumë familje afgane.

Së treti, duke pasur parasysh kuadrin fetar të çështjes, duhet të biem dakord për një delegacion të pushtetshëm të udhëheqësve të qeverive me shumicë myslimane, në Kandahar, për të nxitur lidershipin fetar ndaj qasjes për arsimimin e grave. Së katërti, për hir të grave dhe të vajzave afgane, duhet të jemi të përgatitur për t’ia ofruar qeverisë talibane fondet për të financuar kthimin e tyre në shkolla dhe në universitete, si dhe të premtojmë se do të përputhen me fondet për arsimin që u dhanë në vitet 2011-2021 – për sa kohë që të drejtat e vajzave respektohen dhe arsimi është pa indoktrinim.

Vajzat afgane po protestojnë, sepse e dinë se si është të jesh në gjendje të shkosh në shkollë dhe të mendosh e të debatosh lirshëm nëpër klasa. Miliona gra që shkuan nëpër shkolla dhe universitete, në dy dekadat para vitit 2021, janë avokatet më të mëdha të arsimimit për të gjithë. Regjimet mund t’ua mbyllin gojën disidentëve, por jo përgjithmonë. Mund t’i censurojnë librat për njëfarë kohe, por fjala do të kalojë. Mund t’ua mohojnë vajzave mundësitë, por askush nuk duhet të dyshojë se shpirti i popullit afgan përfundimisht do të mbizotërojë, duke kërkuar që vajzave që përfaqësojnë gjysmën e së ardhmes së tyre t’ju jepet një shans për të përparuar. Thjesht, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Kronika e Zezë
Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Lajme
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Evropa
Kalo në kategori