Bordi i KRM “Pastrimi” reagon ashpër ndaj Komunës së Prishtinës për borxhin prej 2.2 milionë eurove

Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike KRM “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj veprimeve të Komunës së Prishtinës, të cilat, sipas tyre, po e dëmtojnë rëndë gjendjen financiare të kompanisë.
Në një reagim publik, bordi ka bërë të ditur se nga janari deri në fund të prillit 2025, borxhi i papaguar i Komunës ndaj KRM “Pastrimi” ka arritur në shumën alarmante prej 2.2 milionë euro.
Kjo, si pasojë e një thirrjeje publike të Komunës drejtuar qytetarëve për të mos paguar faturat për shërbimet e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave – një veprim që ndërmarrja e konsideron thellësisht të dëmshëm dhe të papërgjegjshëm.
Pavarësisht ofrimit të pandërprerë të shërbimeve, ndërmarrja thekson se nuk ka pranuar asnjë pagesë nga Komuna që prej 1 janarit 2025, çka ka rënduar operacionet ditore dhe ka shkaktuar vështirësi serioze financiare.
Sipas bordit, situata ka prekur drejtpërdrejt pagat e punëtorëve, shpenzimet për deponimin e mbeturinave dhe furnizimin me derivate për funksionimin e flotës së automjeteve – elemente kyçe për shërbimin ditor.
Ata paralajmërojnë se nga 1 maji 2025, deponia e mbeturinave mund të mbyllet për shkak të pamundësisë për mbulim të kostove, duke vënë në pikëpyetje ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Bordi thekson gjithashtu se thirrjet publike të Komunës për mos pagesë të faturave janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi i Kryeqytetit më 5 dhjetor 2024.
Në fund, Bordi paralajmëron se, nëse kjo situatë nuk ndryshon, do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, përfshirë dorëzimin e lëndëve përmbarimore dhe paraqitjen e kallëzimeve penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pengim të funksionimit të një shërbimi publik esencial.
KRM “Pastrimi” thekson se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të rregullta për qytetarët, por kjo është e pamundur pa përmbushjen e obligimeve financiare nga institucionet komunale./Telegrafi/





















































