LAJMI I FUNDIT:

Bora shënon fitore të rëndësishme kundër Vëllaznimit

Bora shënon fitore të rëndësishme kundër Vëllaznimit

Sonte në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është zhvilluar ndeshja e fundit e xhiros së 19-të në mes të Borës dhe Vëllaznimit, ndeshje e cila është mbyllur me rezultatin 85-72, në të mirën e skuadrës së Borës.

Ndeshjen më mirë e nisi dhe e vazhdoi skuadra e Borës e cila çerekun e parë e mbylli me rezultatin 24 – 16, për ta vazhduar edhe çerekun e dytë me një efikasitet shumë të lartë, duke e mbyllur kështu pjesën e parë me rezultatin 49 – 35.

Për dallim nga pjesa e parë, pjesën e dytë më mirë e nisi skuadra e Vëllaznimit, që arriti çerekun e tretë ta fitojë me rezultat 17 – 24, por pavarësisht paraqitjes më të mirë në çerekun e tretë, falë efikasitetit më të lartë të basketbollistëve të Borës, veçanërisht pikëve të shënuara nga Sirko, e bllokadave nga Cambridge, Bora arriti që këtë ndeshje ta mbyllë me rezultatin 85-72, duke e shënuar kështu fitoren e gjashtë sezonale.


Me 18 pikë, 6 kërcime, dhe dy asistime më i dalluari tek skuadra e Borës ishte Henrik Sirko, i pasuar nga Cambridge, i cili shënoi 13 pikë, bëri 6 kërcime dhe dhuroi 4 asistime.

Ndërsa tek Vëllaznimi më efikasi ishte Jericole Hellems i cili shënoi 17 pikë, bëri 5 kërcime dhe dha 4 asistime, i pasuar nga Koshi dhe Anderson të cilët ndeshjen e mbyllën me 11 pikë të shënuara.

Ndeshjen e radhës në kuadër të Superligës së basketbollit të Kosovës Vëllaznimi e luan kundër skuadrës së Yllit, ndërsa Bora i shkon skuadrës së PC Prizrenit. /Telegrafi/