LAJMI I FUNDIT:

Bon Scott dhe AC/DC: Veprat e shthurura në autostradën e ferrit!

Bon Scott dhe AC/DC: Veprat e shthurura në autostradën e ferrit!
Bon Scott (1946-1980)

Nga: Mark Beaumont / The Independent
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Ata pak australianë që patën fatin të shihnin performancën e parë të Scottit me grupin AC/DC, në shtator të vitit 1974, dëshmuan rilindjen e rokënrolit. “Bon piu rreth dy shishe burbon, përdori drogë … dhe tha: ‘Në rregull, jam gati’”, ka thënë kitaristi Angus Young në biografinë e gazetarit Clinton Walker, Highway to Hell, kushtuar Bon Scottit, duke kujtuar koncertin kaotik në Adelaid. “Ai vraponte me brekët e gruas së tij, duke i bërtitur audiencës. Ishte një moment magjik. Ai tha se kjo e bëri të ndihej sërish i ri”.

Disa javë më vonë, Scott u bë anëtar i rregullt i grupit. As jeta e tij, as muzika rok, nuk do të ishin më njësoj.


Me tekstet e çuditshme, qesharake dhe të denja për këndim nga Scotti, të shoqëruara nga rifat e Malcolmit dhe Angusit, AC/DC gjeti formulën që do t’i çonte ata në majat e yjeve të rokut. Këngët klasike si It’s a Long Way to the Top (If You Wanna Rock’n’Roll), T.N.T. dhe Dirty Deeds Done Dirt Cheap hapën rrugën drejt albumit të vitit 1979 Highway to Hell dhe suksesit ndërkombëtar.

Me bluzat e tij të ngushta, xhaketat xhins të grisura dhe tatuazhet, Scott mishëroi rebelimin e muzikës hard-rok. Tamam aq seksi sa për të tërhequr vajzat dhe aq i ashpër për motoçiklistët, ai u bë një ikonë. Fatkeqësisht, ai gjithashtu mishëroi trajektoren klasike të varësisë dhe tragjedisë së rokënrolit. Ai vdiq në moshën 33-vjeçare nga helmimi me alkool, në shkurt të vitit 1980, pak para se albumi Back in Black të bëhej albumi i dytë më i shitur i të gjitha kohërave – pas albumit Thriller të Michael Jacksonit.

Para paraqitjes së tij të parë, ky 28-vjeçar, i lindur në Skoci, por banor i Australisë që nga mosha gjashtëvjeçare, veçse ishte mësuar me dështimet dhe rreziqet. Martesa e tij e vitit 1972 me Irene Thorntonin, po shpërbëhej për shkak të distancës emocionale, zakoneve të tij të pirjes dhe drogës. Pas një mosmarrëveshjeje me grupin e tij The Mount Lofty Rangers, ai, i dehur, pësoi aksident me motoçikletë dhe për tri ditë ishte në gjendje kome. I humbur, i dëmtuar dhe duke bërë punë të përkohshme, nuk kishte çfarë të humbiste kur e nxitën të interpretonte me grupin e ri AC/DC, të cilët donin të zëvendësonin këngëtarin e tyre, Dave Evans. Scott pranoi dhe u mahnit nga ajo që pa. “Një djalë i vogël me uniformë shkolle [Angus], duke u çmendur, dhe unë qesha”, tha ai në dokumentarin Let There Be Rock. Ai u bë zyrtarisht pjesë e grupit, falë aftësisë së tij për t’u përshtatur me çdo lloj grupi.

Në librin e saj të vitit 2014, My Bon Scott, gruaja e tij, Thornton, kujton entuziazmin e tij për rolin e ri. “AC/DC luante këtë rok të zëshëm dhe të pamëshirshëm, dhe zëri i Bonit u bë menjëherë pjesë përbërëse”, shkruan ajo. “Boni dukej vërtet i lumtur, për herë të parë pas një kohe të gjatë”.

Roli i tij në AC/DC ishte themelor në krijimin e tonit dhe imazhit të grupit. Derisa tekstet e Scottit ishin të njohura për thjeshtësinë, Walker sheh kuptim më të thellë në fjalët e tij. “’Jailbreak’ mund të interpretohet si autobiografi [Scott kaloi një kohë në burg], por unë e shoh si pjesë të biografisë kombëtare të Australisë, duke qenë një ish-koloni penale”, pohon ai. “Kur Malcolmi dhe Angusi kishin rifin dhe Boni kishte tekstin … ky ishte një kombinim i mrekullueshëm”.

Perceptimi i jashtëm për Scottin është ai i një njeriu të egër klasik të rokut, që shkatërron “autostradën drejt ferrit”. “Ai ishte sigurisht një pirës i jashtëzakonshëm dhe përdorues i zakonshëm i drogës, gjë që e çoi në atë fund”, thotë Jesse Fink, autor i autobiografisë Bon: The Last Highway dhe librit të tij të ri Bon: Notes from the Highway. Nga ana tjetër, libri i Walkerit e përshkruan Scottin si një hedonist që bëhej gjithnjë e më i uritur për më shumë pije, drogë dhe seks, sa më shumë që rritej suksesi i grupit. “Bon ishte thjesht i egër dhe i pëlqente të dëfrehej,” thotë ai.

Ashtu si shumë alkoolistë, Scotti u bë gjithnjë e më i vrazhdë, duke u mburrur se kishte rreshtuar 10 gra të zhveshura në dhomat e hoteleve për seks. Sipas të dashurës së tij nga mesi i viteve 1970, Silver Smith, ai nuk mund të mbante një marrëdhënie për shkak të paparashikueshmërisë së tij. “Ajo e përshkruante prirjen e tij për t’u grindur në momentet më të papërshtatshme”, thotë Fink, “duke thënë gjëra të gabuara, duke dalë jashtë kontrollit, duke pirë shumë dhe duke e turpëruar atë dhe veten para familjes”. Fink e përshkruan Scottin si një personazh shumë më kompleks dhe thellësisht të konfliktuar, që pinte shumë për të kapërcyer pasiguritë e tij për klasën, arsimin dhe edukimin, ose për të fituar vetëbesimin për të dalë në skenë. “Ata qëllimisht përpiqeshin të ishin sa më të ndyrë dhe të tmerrshëm në intervista … Nuk mendoj se ky ishte Boni i vërtetë… Në fakt, ai ishte një person mjaft intelektual. Kishte një jetë shumë më të ndryshme jashtë grupit. Nuk i shkatërronte dhomat e hoteleve … Më dukej sikur po luante një rol nga i cili nuk mund të dilte”.

E dashura e Scottit, Smith, i tha Finkut se pirja e tij e vazhdueshme mund të ketë qenë rezultat i një dhimbjeje të thellë nga fëmijëria. “Gjyshërit e tij kishin shkuar në Australi në një moment, dhe ai, në atë kohë i burgosur, nuk mundi t’i takonte më kurrë”, thotë Fink. “Kjo ishte diçka për të cilën ai kishte vuajtur gjatë gjithë jetës dhe ishte shumë i penduar për këtë”.

Fink pohon se Scotti u distancua gjithnjë e më shumë nga grupi, për shkak të dëshirës së tij për të eksploruar rrugë të tjera krijuese. “Ai ishte i lodhur nga grindjet. .. shëndeti i tij nuk ishte i mirë. Kishte filluar të përdorte më shumë drogë. Nuk kishte fituar shumë para, sigurisht jo deri në daljen e albumit ‘Highway to Hell’. Dhe, mendoj se ai kërkonte të bënte gjëra të tjera përtej AC/DC”, thotë Fink.

Më 18 shkurt 1980, pas një nate në Kamden, këngëtari fjeti në makinën e muzikantit dhe të dyshuarit si tregtar heroine, Alistair Kinnear. Ai u gjet i vdekur të nesërmen në mëngjes.

Në librin e tij, Fink aludon për një lidhje të gjatë me heroinën dhe për dy mbidoza të fshehura para vdekjes së Bon Scott-it, që grupi nuk i ka pranuar kurrë. “Vdekja e tij në pjesën e pasme të një makine në Londër, në vitin 1980, nuk ishte një ngjarje e izoluar”, thotë Fink. “AC/DC ishin vazhdimisht në lëvizje, dhe presioni që ata djem duhet të kenë ndier ka qenë i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai po përballej me shumë nga problemet e tij përmes alkoolit, sjelljes së shfrenuar me gratë dhe përdorimit të shtuar të drogës”.

Fink beson se Scotti përfundoi thjesht duke u shoqëruar me njerëzit e gabuar në vitet e tij të fundit. Raporti i mjekut ligjor nuk gjeti heroinë në gjakun e Scottit dhe shkaku i vdekjes u regjistrua si helmim nga alkooli. AC/DC gjithmonë e kanë mohuar teorinë e mbidozës. Por, Fink pretendon se ka parë emaile dhe ka kryer intervista që e konfirmojnë këtë histori. “Këtë vit jam kontaktuar nga një grua që është në librin e ri, e cila thotë se Alistair Kinnear erdhi në shtëpinë e saj menjëherë pasi Bon kishte vdekur dhe pranoi se ai i dha Bonit heroinën që e vrau”, thotë ai. “Të thuash që Boni nuk kishte lidhje me heroinën është thjesht absurde. Provat janë aty”.

Walker pajtohet që Scott ishte i rrethuar nga heroina në vitet e tij të fundit, por nuk beson se ai ishte një përdorues i zakonshëm. “Ai kishte dëmtim të mëlçisë dhe ishte vazhdimisht në turne, paksa i rraskapitur”, thotë ai. “Megjithatë, ai e piu veten deri në vdekje, dhe për këtë nuk ka dyshim”. Ndërsa, e dashura e Scottit ka thënë se ai i kishte përfunduar tekstet e albumit Back in Black, natën para se të vdiste, dhe se për këtë arsye donte të festonte.

Ndërsa kjo mbetet e diskutueshme, ajo që nuk vihet në dyshim është vendi i Scott-itsi një ikonë përcaktuese e antikonformizmit në rokënrol. Fink vlerëson këngët nga epoka e tij me grupin si bazën e materialit të tyre më të mirë, dhe vetë Scottin si shtyllën kryesore elektrike të hard-rokut.

“Fuqia e grupit AC/DC është në thelb mitologjia e Bon Scottit, duke jetuar për sot dhe pa menduar për të nesërmen”, thotë Fink. “Ai është si rebel arketip … Po të mos ishte për stilin e tij të jetesës, sjelljen e tij ndaj grave, pirjen dhe përdorimin e drogës, dhe imazhin që krijoi për veten me atë grup, nuk mendoj se AC/DC do të ishte grupi që është sot … Veprat e shthurura të Scottit [kënga Dirty Deeds] përfundimisht erdhën me një kosto të madhe, por askush nuk voziti më shpejt se ai në autostradën e ferrit [kënga Highway to Hell]”. /Telegrafi/