Bomba e vetme 'shkatërruese e bunkerëve' që Izraeli mund të përdorë për të goditur fabrikën sekrete të pasurimit të uraniumit në Fordow të Iranit

Fabrika sekrete e pasurimit të uraniumit në Fordow të Iranit është ‘varrosur’ thellë nën një mal, centrifugat e saj jetësore të mbrojtura nga ton e ton shkëmbinj.
Izraeli nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e tij për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, por e vetmja bombë që besohet të jetë mjaftueshëm e fuqishme për të depërtuar në objektin Fordow, është një bombë amerikane "shkatërruese bunkerësh" që izraelitët nuk e kanë ende.
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump duket se kalon midis thirrjes ndaj Iranit për të negociuar dhe kërcënimit për hakmarrje "në nivele të papara më parë", diskutimi tani po kthehet në atë nëse SHBA-të do të tërhiqen në mënyrë të pashmangshme në një konflikt tjetër në Lindjen e Mesme - diçka që presidenti ka thënë vazhdimisht se nuk e dëshiron, transmeton Telegrafi.
Thënë thjesht, bombat shkatërrimtare bunkerësh janë projektuar të shpërthejnë dy herë. Një herë për të shkelur sipërfaqen e tokës dhe përsëri pasi bomba të jetë zhytur në një thellësi të caktuar. Ato përdoren për të arritur në selitë ushtarake, bunkerët dhe objektet e tjera të ‘varrosura’ thellë nën tokë.
"Ato janë të mëdha, shumë të rënda. Ka shumë eksplozivë në to", thotë analisti ushtarak Michael Clarke.
Ushtria izraelite ka një numër bombash kundër bunkerëve, por nuk e ka GBU-57-ën e lavdëruar, një bombë 14 tonëshe aq e rëndë sa mund të lëshohet vetëm nga flota amerikane e aeroplanëve bombardues të rëndë.
Është ajo GBU-57 që besohet të jetë e vetmja e aftë të shkatërrojë fabrikën Fordow me mbrojtje të lartë.
Analistët thonë se mund të lëshohet vetëm nga një bombardues i fshehtë amerikan B-2. Pesha e saj prej 13,600 kilogramë, do të thotë se forca e saj kinetike e lejon atë të arrijë objektiva të varrosura thellë.
Kuptohet që ajo mund të depërtojë rreth 61 metra nën sipërfaqe para se të shpërthejë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit dhe çdo aluzion për kërcënim me armë bërthamore - diçka që Irani e ka mohuar prej kohësh se e ka kërkuar.
Në disa ditë që kur Izraeli nisi sulmin e tij të papritur ndaj Iranit, i është kushtuar shumë vëmendje se sa mirë do të ishin në gjendje të prishnin programin bërthamor të Iranit, shumica e të cilit është varrosur thellë nën tokë.
"Tre vendet që ata duan vërtet janë Natanz, Isfahan dhe Fordow", thotë profesori Clarke.
Natanz dhe Fordow janë vende të pasurimit të uraniumit dhe Isfahani është një nga qendrat më të mëdha të kërkimit bërthamor në Iran.
Fabrika e pasurimit të Natanz është goditur nga Izraeli në ditët e fundit, me sallën e saj nëntokësore të centrifugave që besohet të jetë dëmtuar, por jo e shkatërruar.
Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i tha BBC-së se fabrika e Natanz pësoi dëme të mëdha, duke shkatërruar me shumë gjasa 15,000 centrifuga.
“Kjo ndoshta ishte për shkak të një sulmi ajror izraelit që ndërpreu furnizimin me energji të centrifugave, në vend të dëmtimit fizik të sallës së centrifugave”, tha ai.
Në Isfahan, vendndodhja e tretë kyçe bërthamore e Iranit, pati dëme në ndërtesa, përfshirë laboratorin qendror kimik dhe një fabrikë konvertimi të uraniumit.
"Në Isfahan keni edhe hapësira nëntokësore, të cilat nuk duket se janë prekur", tha Grossi. /Telegrafi/






































