LAJMI I FUNDIT:

Bizneset kosovare dhe ato sllovene do të takohen në Lubjanë

Bizneset kosovare dhe ato sllovene do të takohen në Lubjanë

Oda Sllovene e Bizneseve dhe Oda Ekonomike Sllovene më 21 maj 2019 organizojnë forumin e radhës në Lubjanë, ku do të marrin pjesë dhjetëra biznese nga Kosova.

Pjesëmarrës në këtë takim forum janë do të jenë përfaqësues të bizneseve kosovare, sllovene, Oda Ekonomike Sllovene, Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë, Ambasada e Kosovës në Slloveni, disa nga bankat sllovene dhe institucione tjera përkrahëse.

Bizneset pjesëmarrëse janë të fushave të përpunimit të drurit, ndërtimtarisë, reciklimit, IT, energjisë së ripërtritshme, përpunimit të gurit, përpunimit të lëkurës, bankat, shërbime të internetit dhe sistemit kabllor, logjistikës dhe furnizimit si dhe gazetarisë.


Bizneset, partnerët, investitorët sllovenë janë hulumtuar nga Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë duke u bazuar në interesat e bizneseve kosovare për të ndërtuar partneritet ose investime të përbashkëta.

Drejtori i Odës Sllovene të Bizneseve, Bajram Fusha, ka ftuar që të gjitha bizneset e interesuara për fushat e lartcekura të bëhen pjesë e kësaj Ode për të përfaqësuar kështu interesat e tyre.

“Oda Sllovene e Bizneseve vazhdon të përkrahë rrjetëzimin, bashkëpunimin, partneritetin dhe investimet në raport me afarizmin slloveno-kosovar. Ne ftojmë të gjitha bizneset e interesuara për të bashkëpunuar në këtë fushë që të na kontaktojnë, me shumë dëshirë do i përfaqësojmë dhe ndërlidhim interesat e juaj. Kjo është detyra, obligimi dhe kënaqësia jonë”, thotë Fusha.

Forumi i fundit i këtij lloji është mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë. /Telegrafi/