Dy muaj më parë, Trafiku Urban kishte marrë vendim që të gjithë udhëtarët që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës dhe mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, të përfitojnë falas një biletë ditore për shfrytëzimin e transportit urban në Kryeqytet.

Sipas këtij vendimi, e drejta për të përfituar biletën falas vlen vetëm për udhëtarët që zbresin në Stacionin e Autobusëve. Megjithatë, kjo masë kishte ngjallur disa paqartësi tek qytetarët, të cilët kishin shprehur shqetësime nëse biletat e transportit urban janë të vlefshme menjëherë apo nëse duhet të bëhet ndonjë veprim shtesë për validimin e tyre.


Për këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar Trafikun Urban, nga ku është bërë e ditur se pas mbërritjes në stacion, udhëtarët duhet të paraqiten në sportelet përkatëse për të kryer validimin e biletës ndërurbane dhe për të marrë biletën falas për transportin urban.

"Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga komunat tjera drejt Prishtinës dhe zbresin në Stacionin e Autobusëve, kanë mundësinë të përfitojnë nga udhëtimi me Trafikun Urban dhe të gjithë operatorët e transportit publik në Komunën e Prishtinës, përmes një procedure të thjeshtë.

Pas mbërritjes në Stacionin e Autobusëve, udhëtarët duhet të paraqiten pranë sporteleve në stacion, ku bëhet validimi i biletës ndërurbane. Pas validimit, kjo biletë do të jetë e vlefshme për të gjitha linjat e transportit publik në Komunën e Prishtinës, brenda të njëjtës ditë", thuhet ne përgjigjen e tyre.

Mes tjerash, ata theksojnë se ky  shërbim është ofruar me qëllim të lehtësimit të qasjes në transportin publik për të gjithë ata që vijnë në kryeqytet për punë, studime apo shërbime të tjera./Telegrafi/