Berisha: Synoj të depërtoj në liga më të forta

Synimet e tij për të ardhmen nuk janë që ai të mbetet pjesë e kampionatit armenian. Shumë shpejtë Berishën, mund ta shohim në një ligë më të fortë.
“Kam bërë një hap të mirë drejt zhvillimit të karrierës sime. Kam vendosur t’i bashkëngjitem kësaj lige pasi që vlerësohet shumë. Besoj që kjo do të jetë një shtytje që unë përmes zhvillimit të karrierës këtu, të mund të depërtoj në ndonjë ligë më të fortë në Evropë.
Kampionati për momentin është në xhiron e pestë, gjithçka është dukë u zhvilluar normalisht. Si shtabi teknik ashtu edhe futbollistët më kanë pritur shumë mirë. Jam i kënaqur me përkrahjen që ata po ma bëjnë, po më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time”, ka deklaruar për KosovaLive, Berisha.
Duke u gjendur jashtë vendit të tij Kosovës, ai ka thënë se i mungojnë shumë bashkëlojtarët dhe futbolli kosovar.
“Edhe pse kam kontakte të vazhduara më ish- bashkëlojtarët prapë se prapë ata më mungojnë shumë. Nuk mund të ndihesh askund më mirë, se sa në vendin tënd. Momentalisht jam duke punuar shumë, që në këtë kampionat ta dëshmoj formën time.
Asgjë nuk do të kursej, vetëm që të arrij në një ligë më të fortë. Besoj që me punën time dhe me ndihmën e Zotit, gjërat do të ecin sipas qëllimit të synuar. Kontratë dyvjeçare kam me ekipin e FC Ulisses, por kjo nuk do të thotë që do të qëndrojë për dy vite këtu. Gjendja ime momentale dhe karriera mund të ndryshoj ne çdo çast”, ka pohuar mbrojtësi kosovar.
Futbollisti kosovar është nisur drejt kampionatit armenian me një qëllim të vetëm, që të depërtojë shumë shpejtë në një ligë më të fortë. Ai ka theksuar se për momentin nuk e ka ndërmend t’i kthehet futbollit kosovar.
Ai do të rikthehet vetëm në rast se futbolli kosovar do të pranohej në FIFA dhe UEFA. Mbrojtësi Drilon Berisha më parë ka bartur fanellën e këtyre ekipeve, 2 Korrikut, Hysit Hajvalis dhe Prishtinës.



















































