Berisha: Nuk e ka askush qëllimin e mirë, të gjithë duan të vazhdojnë me bllokadë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj të gjitha partive politike dhe presidentes së vendit, teksa ka folur për situatën e krijuar në Kuvend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Berisha u shpreh se nuk ka arritur të kuptojë versionin e asnjë partie, duke akuzuar klasën politike për mungesë vullneti dhe bllokadë të qëllimshme.
“Nuk e ka askush "nijetin" e mirë këtu. Duket se të gjithë duan të vazhdojnë ende me bllokadë. Po gënjejnë, po takohen fshehtas e pastaj po gënjejnë. Askush nuk e ka në mendje të dalë nga ngërçi”, tha ai.
Deputeti i AAK-së vuri në shënjestër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të cilin e akuzoi për kokëfortësi dhe mungesë fleksibiliteti në procesin e negociatave.
“Kurti ende tregon kryeneçësi. Ndoshta duhet t’i prishim disa rregulla për t’u kthyer në normalitet”, shtoi ai.
Berisha nuk kurseu as presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ajo ka munguar në momentet kyçe për vendin.
“Ne nuk kemi as presidente as asgjë. Kjo është në kurriz të Kosovës”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se mungesa e lidershipit nga ana e saj po rëndon edhe më shumë situatën politike.



















































