Shkëndija mbylli aventurën në Ligën e Kampionëve dhe tani do të vazhdojë në play-off të Ligës së Europës, njofton Telegrafi.

Shkëndija ka përfunduar rrugëtimin e saj në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Kampionët e Maqedonisë së Veriut u mposhtën bindshëm në Baku nga Qarabagu me rezultatin 5-1, duke u ndalur në raundin e tretë, por duke siguruar kalimin në fazën play-off-it të Ligës së Evropës.


Pas ndeshjes, trajneri Jeton Beqiri pranoi kualitetin e kampionit të Azerbajxhanit dhe vlerësoi se rezultati ishte i merituar për vendasit.

“Urime Qarabagut, e merituan fitoren dhe ishin dukshëm më të mirë. Nuk kam shumë për të thënë pas humbjes 5-1. Luajtëm keq në pjesën e parë. Do të bëjmë analizën nesër dhe do të fillojmë përgatitjet për play-offin e Ligës së Evropës. Patëm probleme fizike dhe taktike, pranuam gola të hershëm dhe intensiteti i lojës ishte shumë i lartë. Nuk e prisnim një rezultat të tillë, por duhet të nxjerrim mësime,” tha Beqiri.

Në play-off të Ligës së Evropës, Shkëndija do të përballet me humbësin e çiftit mes Ludogoretsit (Bullgari) dhe Ferencvaroshit (Hungari). /Telegrafi/

telegrafi sport app