Beqiri e Qaka optimist për duelin ndaj Qarabagut

Shkëndija e Tetovës është gati për rrugëtimin vendintar në Ligën e Kampionëve, ku më 12 gusht në stadiumin “Tofiq Bahramov” në Baku do të zhvillohet ndeshja e kthimit e raundit të tretë kualifikues kundër Qarabagut, njofton Telegrafi.
Pas humbjes minimale në Tetovë (0-1), kuqezinjtë do të kërkojnë përmbysjen e rezultatit përballë një rivali të fortë dhe me përvojë, ndërsa trajneri Jeton Beqiri ka paralajmëruar një qasje më sulmuese.
Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, në konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes, deklaroi:
“Pres një ndeshje të vështirë. Qarabagu është një ekip i fortë dhe me përvojë. Do të japim maksimumin dhe do të përpiqemi të shënojmë gol. Në ndeshjen e kthimit do të jemi më agresivë dhe më të orientuar drejt sulmit. Qarabagu kishte një ditë më shumë pushim se ne, ndërsa udhëtimet na lodhën. Por besoj se për ndeshjen e nesërme do të kemi mjaftueshëm forcë, pavarësisht nëse loja shkon në shtesë.”
Gjurhashtu vlerësim para ndeshjes ka dhënë edhe Kamer Qaka:
“Presim një ndeshje të vështirë, por kemi shpresa të mira për lojën. Do të bëjmë një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe don Zoti dalim me fitore”.
Nga ana tjetër, edhe trajneri i Qarabagut, Gurban Gurbanov, theksoi se ekipi i tij do të duhet të japë maksimumin për të kaluar më tej:
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse edhe kundërshtari është shumë ambicioz. E kam thënë edhe më parë për ndeshjet e kaluara se ata janë ambiciozë dhe luftarakë. Prandaj, nesër ndoshta do të duhet të shpenzojmë shumë energji.”
Ndeshja e kthimit zhvillohet më 12 gusht në ora 18:00 në stadiumin “Tofiq Bahramov” në Baku. /Telegrafi/


















































