Bekë Berisha nuk përjashton ndryshim qëndrimi për kryetarin e Kuvendit: Situata politike po bëhet e tepërt

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës pas alarmit të rremë për bombë, duke theksuar nevojën për një reflektim të thellë dhe të përgjithshëm nga të gjithë akterët politikë.
Në një deklaratë për media, Berisha tha se këto situata po bëhen të tepërta dhe për pasojë po rritet rreziku për ngjarje serioze. Ai theksoi se mungesa e institucioneve funksionale për një kohë të gjatë është shkaktar i drejtpërdrejtë i tensioneve në rritje.
“Kjo ka qenë një alarm i rrejshëm, mirëpo kur nuk ka institucione për një kohë kaq të gjatë, këto mund të bëhen të vërteta pastaj. E kam paralajmëruar edhe më herët, por nuk më kanë marrë seriozisht”, tha ai.
Berisha gjithashtu paralajmëroi se mund të ketë ndryshim qëndrimi në votimin për kryetarin e Kuvendit, duke lënë të hapur mundësinë për votim të fshehtë dhe një qasje më reflektuese në seancat e ardhshme.
“Sikur ka ndodhur edhe më përpara, nuk kemi pasur ndonjë shqetësim se është pritur të jetë i rrejshëm. Kjo situatë besoj që tani është bërë e tepërt dhe na duhet që të reflektojmë të gjithë,” u shpreh ai.
Deputeti i AAK-së tha se nuk dëshiron që hidhërimet politike personale të bëhen barrë për vendin, duke shtuar se nuk e përcakton mendimin e tij asnjë kamp politik.
“Nuk dua që në kurriz të Kosovës të mbaj hidhërim me askënd. As nuk ma determinon mendimin politik as opozita, se unë nuk jam opozitë më së pari,” theksoi ai.
Ai shtoi se nëse në seancën e radhës krijohet shumicë për rrëzimin e opsionit aktual për kryetarin e Kuvendit, kjo do të ishte një rrugëdalje dhe një hap drejt zgjidhjes institucionale.
I pyetur nëse do ta mbështesë ndonjë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, Berisha u përgjigj shkurt:
“Po bash kanë të qesin,” duke lënë të kuptohet se është i gatshëm të mbështesë çdo emër të propozuar.







































