Eksperienca në krye të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) mund t’i kushtojë shtrenjtë Behlul Beqajt. Ish-kryetari i shtëpisë së basketbollit kosovar do të dalë të enjten para gjyqit, pasi akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës” sa ishte numri 1 i FBK-së.

“Zëri” e ka siguruar dokumentin, ku thuhet se Beqaj akuzohet se ka bërë keqpërdorime me buxhetin e FBK-së sa ishte në krye të saj.


“I akuzuari Belul Beqaj në periudhën kohore prej 09.06.2004 deri më 15.04.2006, në cilësinë e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që ka përvetësuar shumën e parave prej 13.731.19 eurosh. I njëjti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i ka urdhëruar të akuzuarat, Xhemajlije Llugiqi dhe Esada Rexhepi, që të lëshojnë urdhëresa fiktive për dalje të mjeteve financiare nga arka e FBK-së në shumë totale prej 8.595.65 eurosh, me qëllim të mbulimit të mungesës së konstatuar nga Komisioni i Bordit Mbikëqyrës të FBK-së”, shkruan në aktakuzë, raporton Zëri.

“Me këtë, ai ka kryer veprat penale ‘Shpërdorimi i pozitës në detyrë’, nga Neni 422 par. 1 të KPK-së, veprën penale:‘Përvetësimi në detyrë’, nga Neni 425 par.2 të KPK-së dhe veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve zyrtare’, nga Neni 348 par. 2 të KPK-së”, vazhdon akuza.

Me këtë rast Beqaj, por edhe dy të lartpërmendurat, duhet të dalin përpara Gjykatës Themelore të Prishtinës sot, duke filluar nga ora 13:00. E akuzuara Llugiqi ishte arkëtare e FBK-së në atë kohë dhe, sipas akuzës, ka mundësuar përpilimin e dokumenteve me përmbajtje të rreme për ta mbuluar “shefin” e saj, përcjell Zëri.

Beqaj: Kanë kaluar 10 vjet, s’di për çka akuzohem

Ndërkohë, i akuzuari Beqaj ka qenë shumë i shkurtër në deklaratën e tij për gazetën. “Kanë kaluar 10 vjet qëkur s’jam më në Federatë, nuk e di se çka ka ndodhur dhe për çka akuzohem. Të shohim”, u shpreh ai.

zeri(1)


 

telegrafi sport app