LAJMI I FUNDIT:

Becker vlerëson lart Kosovën

Becker vlerëson lart Kosovën

Përzgjedhësi i Guinesë Ekuatoriale, Esteban Becker, është informuar për përfaqësuesen e Kosovës në futboll me të cilën Përfaqësuesja afrikane do të luajë miqësore të shtunën më 10 tetor në Prishtinë. Trajneri argjentinas Becker vlerëson lart Kosovën, ndonëse më së shumti për Përfaqësuesen e drejtuar nga Albert Bunjaki është informuar përmes incizimeve në "Youtube".

Becker 51-vjeçar në fillim të vitit ka udhëhequr Guinenë Ekuatoriale drejt një suksesi historik – gjysmëfinales në Kupën e Afrikës në futboll.

Në një bisedë për gazetën Koha Ditore, Esteban Becker ka thënë se shumë lojtarë kosovarë kanë standard të kënaqshëm.

"Unë tashmë kam mjaft informata për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Shumicën e informatave i kam nga ‘Youtube’. Njoh cilësinë e lojtarëve kosovarë dhe më pëlqen niveli i lartë i garës dhe i pasionit te ata. Lojtarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për nderin që ofron prezantimi i vendit. Shumë lojtarë janë pjesë e klubeve me emër në Evropë dhe kanë standard të mirë", ka thënë Esteban Becker për “Kohën Ditore”.


Ai më herët ishte drejtor teknik i përfaqësueses së Guinesë Ekuatoriale, ndërsa ka drejtuar edhe përfaqësuesen e femrave të këtij vendi të vogël afrikan. Ka drejtuar edhe disa skuadra të vogla në Spanjë, ndërsa karrierë si lojtar ka bërë në Argjentinë e Spanjë.

Drejtimin e Guinesë Ekuatoriale e mori vetëm në janar të këtij viti, tri javë para se të niste Kupa e Afrikës që u mbajt në këtë vend. Në gjysmëfinale Guineja Ekuatoriale u mposht 3:0 nga Gana, ndërsa në ndeshje për vend të tretë humbi nga Republika Demokratike e Kongos, pas penalltive. Guineja Ekuatoriale është vend i vogël në Afrikën Qendrore. Është ish-koloni e Spanjës dhe e ndikuar shumë nga ajo.