Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së e kanë quajtur të papranueshme gjuhën e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ndaj gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet se liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike.


“BE-ja në Kosovë dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili e etiketoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK si një ‘aleancë grupesh kriminale’ dhe kërkon që praktika të tilla të marrin fund. Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj”, thuhet në reagim.


E Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka quajtur të papranueshme sjelljen e Kurteshit.

“Sjellje e papranueshme ndaj gazetarëve nga anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi (LVV). Liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës. Përfaqësuesit politikë në organet e pavarura duhet të mbështesin standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, thuhet në reagim.



Ndryshe, gjatë javës anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi ka pasur një përplasje me gazetarët në një nga mbledhjet e KQZ-së.

Ai po ashtu, në një postim në Facebook i ka etiketuar mediat si “grupe kriminale”. /Telegrafi/