Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.
Përmes një reagimi në faqen zyrtare të Facebook, BE ka shkruar se kjo po shihet si hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian ka kërkuar që kjo qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE, përfshirë automjetet e dorës së dytë.
“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë ✖ homologimin për automjete të reja të importuara ?? të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, shkruhet në reagimin e BE-së.
Ndryshe tre muaj më parë deputetët e Kuvendit të Kosovës me 62 vota për dhe dy abstenim ka votuar rezolutën për heqjen e monopolit të homologimit.
Po ashtu u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.
Në Kuvend të Kosovës për këtë çështje ishte dorëzuar edhe një peticion i nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë./Telegrafi/