Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar Carol Whitmore, Shefe e Përgjithshme të Organizatës së Veteranëve Luftëtarë të SHBA-ve dhe Ryan Galluci, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës në Washington.

Në njoftim thuhet se u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, në veçanti me Gardën Kombëtare të Ajova-s, ku u vlerësua marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët, si dhe mbështetja amerikane në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së, përfshirë ndërveprueshmërinë me partnerët e saj.


Gjithashtu, Gjeneral Jashari vlerësoi lartë rolin e kësaj organizate në mbështetje të pjesëtarëve forcave të armatosura amerikane, si dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin e shtëpisë së veteranëve në trajtimin, kujdesin dhe respektin që ky institucion ofron për veteranët luftëtarë të SHBA-ve, që kanë shërbyer nëpër konflikte të ndryshme nëpër botë, posaçërisht ata në Kosovë.

Të dy palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit, njëherit u vlerësua gatishmëria e kësaj organizate në mbështetjen e FSK-së për këtë fushë. /Telegrafi/