Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Kryetari Basha i shprehu ambasadorit mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për rolin historik të Mbretërisë së Bashkuar gjatë luftës dhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit. Ai gjithashtu e njoftoi diplomatin britanik për zhvillimet e fundit politike, me fokus në procesin e seancës konstituive të Kuvendit.


Në takim u diskutua për reformat demokratike dhe përkushtimin e Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, si dhe për synimin e vendit drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO.

Ambasadori Hargreaves e uroi Bashën për marrjen e detyrës së re dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar bashkëpunimin me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.

Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe dëshmoi edhe një herë partneritetin e ngushtë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Për takimin u deklarua edhe ambasadori Jonathan Hargreaves.

“Sot takova Kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, për ta përgëzuar për zgjedhjen e tij. Ne ramë dakord për rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

“Shpresojmë që situata të zgjidhej shpejt për t'i lejuar Kuvendit dhe një qeverie të re të vazhdojnë me punën e tyre jetësore në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ambasadori Britanik thotë se gjithashtu u bisedua për rëndësinë e konsultimit kuptimplotë me komunitetin serb të Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë e Kosovës.