Barnatorja qendrore në spitalin e Mitrovicës hapet një vit pas fillimit të punimeve

Në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës së Jugut, sot më 24.12.2025 është hapur barnatorja qendrore e cila kishte filluar të ndërtohej para një viti.
Kështu ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai tha se kur e morën përgjegjësinë e qeverisjes në kohë pandemie, gjetën një gjendje alarmante në shëndetësi.
“QKUK-ja pa depo të duhur për ruajtjen e vaksinave, Kosova pa depo qendrore të barnave dhe spitalet publike pa kushte adekuate për ruajtjen e tyre”- shkroi ai në rrjetin social Facebook.
Në një përgjigje për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Gëzim Berisha theksoi se deri më tani ka qenë procedurat për t’u pajisur me inventar kjo depo e barnave.
“Deri tash kemi qenë në procedurë për ta blerë inventarin dhe pajisjet që janë brenda, e të cilat i ka blerë ShSKUK-ja. Tash kanë përfunduar procedurat”- tha Berisha.
Më 28.10.2024, Ministria e Shëndetësisë kishte filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut.
Ndërsa më 20.11.2024, kjo komunë kishte ndërprerë punimet me arsyetimin se “Ministria nuk kishte marrë leje për ndërtim”.
Po në këtë ditë, Vitia, kishte njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.
Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e kishte ndërprerë Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.
Kështu tha për KALLXO.com ish drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.
“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë dhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me e mbikëqyr. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- kishte thënë ai.
Më 16.06.2025, për punimet rreth përfundimit të objektit të depos farmaceutike, Spitali i Mitrovicës, ka shpërblyer me kontratë N.N.P “Hysnia” Vushtrri, në vlerë totale të ofertës, 23 mijë euro e 275 euro e 50 cent.


















































