Barnat e prodhuara nga kanabisi mund të bëhen trajtim i ri për kancerin e vezoreve

Dy përbërje nga kanabisi tregojnë efekte premtuese në ndalimin e rritjes dhe metastazimit të kancerit të vezoreve
Derivatet e kanabisit, përkatësisht barnat e prodhuara nga kanabisi, në të ardhmen mund të shndërrohen në një trajtim të ri për kancerin e vezoreve. Shkak për këtë pretendim është zbulimi i një ekipi shkencëtarësh që po teston efektet e dy përbërjeve kimike të përftuara nga kanabisi mbi qelizat e kancerit të vezoreve. Konkretisht, shkencëtarët kanë zbuluar se të dyja përbërjet shfaqin efekte premtuese antikancerogjene.
Kanceri i vezoreve është i vështirë për t’u diagnostikuar dhe edhe më i vështirë për t’u trajtuar
Edhe pse do të nevojiten më shumë kërkime që këto rezultate të shndërrohen në barna që mund t’u jepen pacientëve, këto gjetje përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e terapive të reja dhe efektive për një kancer që diagnostikohet me vështirësi dhe trajtohet edhe më rëndë.
- Kanceri i vezoreve mbetet një nga malignitetet gjinekologjike më vdekjeprurëse, i karakterizuar nga diagnostikimi i vonshëm, shkalla e lartë e rikthimit dhe mundësitë e kufizuara të trajtimit efektiv, theksoi dr. Siyao Tong nga Khon Kaen University, autori kryesor i studimit të publikuar në revistën Pharmacology.
- Qëllimi ynë është të gjejmë barna alternative që mund të përmirësojnë efikasitetin dhe potencialisht të ulin toksicitetin, duke sjellë në fund shpresë të re për pacientët që përballen me këtë sëmundje sfiduese, nënvizon dr. Tong.
Sëmundja vdekjeprurëse merr jetën e shumicës së pacienteve
Nga të gjitha kanceret gjinekologjike, kanceri i vezoreve shkakton numrin më të madh të vdekjeve. Edhe pse ka pasur përparime në strategjitë e trajtimit, barnat aktuale nuk janë gjithmonë efektive dhe shpesh shoqërohen me efekte anësore të rënda. Ekspertët theksojnë se “opsione të reja janë urgjentisht të nevojshme”. Duke qenë se CBD (kanabidioli, i cili nuk është psikoaktiv) dhe THC (delta-9-tetrahidrokanabinoli, i cili është psikoaktiv) kanë treguar potencial kundër llojeve të tjera të kancerit, ekipi hulumtues vendosi t’i testojë ato mbi qelizat e kancerit të vezoreve.
Shkencëtarët përdorën dy linja të ndryshme qelizash të kancerit të vezoreve, njëra e ndjeshme ndaj barnave të bazuara në platinium dhe tjetra rezistente, dhe i ekspozuan këto linja ndaj CBD-së, THC-së ose kombinimit të të dyjave, për të vlerësuar nëse qelizat mund të mbijetojnë dhe të riprodhohen pas ekspozimit. Ata testuan gjithashtu një linjë qelizash të shëndetshme, për të parë nëse përbërjet shkaktonin dëmtime, transmeton Telegrafi.

Kombinimi i CBD-së dhe THC-së pengon migrimin e qelizave të kancerit të vezoreve
Shkencëtarët zbuluan se qelizat e të dyja linjave të kancerit, të trajtuara me CBD ose THC, formonin koloni më të vogla. Edhe pse të dyja përbërjet vepruan në frenimin e riprodhimit të qelizave kancerogjene, kombinimi i tyre dha rezultate veçanërisht të mira. Ndërsa asnjëra përbërje veçmas nuk shkatërroi një pjesë të madhe të qelizave të kancerit, kombinimi i tyre rezultoi shumë i suksesshëm.
Është e mundur që THC dhe CBD të veprojnë mbi qelizat e kancerit përmes mekanizmave të ndryshëm dhe, kur përdoren së bashku, efektet e tyre të fuqizohen. Është vërejtur se efekti inhibitor ishte më i theksuar kur CBD dhe THC u përdorën në raport 1:1, thekson dr. Tong.
Testet shtesë treguan se përbërjet pengojnë migrimin e qelizave, çka nënkupton se ato mund të ndalojnë përhapjen e kancerit të vezoreve në pjesë të tjera të trupit. Shumë paciente humbin jetën si pasojë e metastazave, ndaj një trajtim që i pengon ato mund të shpëtojë jetë.
Të dyja linjat qelizore u prekën në mënyrë të ngjashme, gjë që sugjeron se përbërjet mund të veprojnë njësoj mirë në lloje të ndryshme të kancerit të vezoreve. Përbërjet dhe kombinimet e tyre patën gjithashtu efekte minimale mbi qelizat e shëndetshme, duke treguar se trajtimet e bazuara në to mund të jenë më pak toksike dhe më të lehta për t’u toleruar sesa barnat aktuale.
Nevojiten studime in vivo që kanabinoidet të përdoren si terapi e re për kancerin e vezoreve
- Edhe pse studimi ynë është ende paraprak, ai vendos një bazë të rëndësishme për kërkime të ardhshme mbi aplikimet potenciale të CBD-së dhe THC-së në trajtimin e kancerit të vezoreve. Duke konfirmuar aktivitetin e tyre antikancerogjen dhe duke identifikuar mekanizmat molekularë kyç, pritet që gjetjet tona të nxisin studime të mëtejshme paraklinike. Nëse studimet e ardhshme i konfirmojnë këto efekte, terapia e kombinuar CBD-THC mund të kontribuojë në zhvillimin e strategjive të reja të trajtimit, shpjegon dr. Tong.
Megjithatë, studimi ka disa kufizime, thekson dr. Tong, pasi të gjitha eksperimentet janë kryer in vitro, ndaj rezultatet mund të mos pasqyrojnë plotësisht kompleksitetin e sjelljes së tumoreve në organizma të gjallë.
- Nuk kemi përfshirë modele in vivo dhe të dhëna farmakokinetike, të cilat janë thelbësore për të përcaktuar nëse CBD/THC mund të përdoret në mënyrë të sigurt dhe efektive klinikisht. Për më tepër, çështjet rregullatore dhe ligjore që lidhen me terapitë me kanabinoide mund të ndikojnë në kërkimet e ardhshme. Edhe pse rezultatet janë inkurajuese, nevojiten studime shtesë përpara se këto gjetje të aplikohen në trajtimin e pacientëve, përfundon dr. Tong. /Telegrafi/







































