LAJMI I FUNDIT:

Banka e Shqipërisë mban përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë mban përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75 për qind, për të dytën mbledhje radhazi.

Në fjalën e tij pas mbledhjes, Guvernatori Gent Sejko e argumentoi këtë vendim me faktin se të dhënat e muajve të fundit dhe kryesisht ato të lidhura me inflacionin kanë rezultuar më të mira se pritshmëritë e bankës qendrore.

“Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, përgjithësisht, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare”, tha ai.


“Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet ndërkombëtare dhe pasojat kumulative të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në vend. Këto pasoja shfaqen në formën e kontrollit të pritjeve të agjentëve të tregut për inflacionin, të mbështetjes së kursit të këmbimit, si dhe të balancimit më të mirë midis kërkesës dhe ofertës agregate në vend,” tha Sejko.

Megjithatë, Guvernatori theksoi edhe njëherë se ulja e inflacionit pranë objektivit prej 3 për qind do të kërkojë normalizim të mëtejshëm të politikës monetare, nëpërmjet rritjes së normave të interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve”, shtoi ai.

“Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm. Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja,” u shpreh Guvernatori.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik në vend vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Në këndvështrim sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor ishte pothuajse i pandryshuar. Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u ushqye nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që sektori publik dhe shkëmbimet tregtare me jashtë neto patën efekt frenues.

Rritja ekonomike është shoqëruar paralelisht me rritje të punësimit dhe të pagave. Punësimi u rrit me 4.2 për qind, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6 për qind dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3 për qind në tremujorin e tretë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por, nga ana tjetër, sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.

Guvernatori tha se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit financiar pritet të mbeten në kontroll.

“Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancet e shëndetshme të sektorit privat, nga dinamikat pozitive të tregut të punës, nga reduktimi i pasigurisë dhe nga një ambient financiar ende akomodues. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet ritmeve historike të rritjes në afatin e mesëm e të gjatë. Ky trend pasqyron, më së shumti, dinamikat e pritura të kërkesës së huaj dhe veprimin e efekteve bazë,” thuhet në deklaratën e siotme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

Siguri

"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri

Siguri
Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Drejtësi
Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Siguri
31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

Drejtësi
Hoxhaj: Qeveria Kurti ka lënë Kosovën në terr diplomatik, nën sanksione - nuk iu beson më askush

Hoxhaj: Qeveria Kurti ka lënë Kosovën në terr diplomatik, nën sanksione - nuk iu beson më askush

Politikë
Kalo në kategori