Ballkani mëson emrin e kundërshtarit për rrethin e dytë në Ligën e Konferencës

Ballkani është gati të shkruajë një kapitull të ri në aventurën evropiane. Skuadra nga Suhareka do të nisë sfidat në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me ekipin maltez, FC Floriana.
“Një histori që filloi në zemrën e Ballkanit, po vazhdon në Evropë”, thuhet në postimin zyrtar të klubit.
Mesazhi vjen si paralajmërim i sfidës së parë ndaj maltezëve, ku Ballkani shprehet i vendosur për të përfaqësuar denjësisht futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Në deklaratën e klubit theksohet se ekipi është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mban: “Jemi më shumë se një klub futbolli, jemi emblema evropiane e Republikës”.
Ballkani ka zhvilluar një fazë përgatitore intensive, me synimin për të kaluar raundin dhe për të vazhduar rrugëtimin në garat evropiane.
Përballja e parë me FC Floriana pritet të zhvillohet në ditët në vijim, ndërsa Ballkani ka bërë thirrje për unitet dhe përkrahje maksimale nga tifozët dhe opinioni sportiv në Kosovë. /Telegrafi/



















































