Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas thirrjes së ZRrE, e cila bëri drejtuar konsumatorëve për të lidhur marrëveshje për furnizim elektrik me furnizuesit e licensuar komercial.

Bajrami përmes një reagimi në Facebook e cilësoi si skandaloze thirrjen e ZRrE-së.


"Zyra e Rregullatorit për Energji, si një ndër akterët kryesorë që bart mbi supe përgjegjësinë për gjithçka që po ndodh në sektorin e energjisë në vend, sot paska dalë me një thirrje skandaloze", ka shkruar ajo.

Bajrami tutje thotë se nga 1 qershori importi i energjisë elektrike është rritur tetë herë, teksa ka nënvizuar vendimet e Gjykatës Komerciale në favor të dhjetëra ankuesve nga ana e bizneseve.

"Edhe një gjë: paskeni thënë se Gjykata ju ka dhënë të drejtë, por s’po dihet ku dhe kur, sepse në muajin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale, të cilat janë në favor të bizneseve jo në favor tuajin", ka shtuar ajo.

Kujtojmë që ZRrE ka njoftuar se KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit do të furnizojë bizneset për periudhën 60-ditore e cila përfundon me 30 korrik.

Tutje, ZRrE u bëri thirrje bizneseve për lidhje të marrëveshjeve me furnizuesit komercial të licensuar duke thënë se mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025.