Avokati i mjekut popullor, Hysri Peqanit – ‘Burdushi’, i arrestuar javën që shkoi, ka thënë që është e paarsyeshme që është arrestuar klienti i tij, duke i cilësuar qesharake arsyet pse ai mbahet në paraburgim.
Avokati Asdren Hoxha ka thënë për ‘T7’ se katër veprat, për të cilat ngarkohet klienti i tij janë të lehta, për të cilat mund të dënohen edhe me gjobë.
Avokati gjithashtu ka bërë ankesë dhe, sipas tij, shumë shpejt pritet lirimi i Peqanit.
Hoxha është deklaruar se ka vizituar klientin e tij në burgun e Prizrenit dhe thotë se ai ndihet i qetë kundrejt një padrejtësie që sipas tij iu është bërë.
Ndërkaq, për provat që janë konfiskuar thotë se nuk paraqesin argument për prokurorinë që të ngritet aktakuzë.