AUV forcon kontrollin e ushqimeve në kufi dhe vlerëson kontributin e udhëheqësit të grupit të integruar

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) u mbajt takimi i radhës i Grupit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ku u diskutuan aktivitetet e deritanishme, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.
Drejtori Ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, vlerësoi punën e grupit, duke theksuar se angazhimi i tij ka sjellë rezultate konkrete në terren.
Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të kontrolleve kufitare, veçanërisht për produktet ushqimore që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare, si mënyrë për të rritur sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Gjatë takimit, Hoxha falënderoi gjithashtu Nënkolonelin Fazli Rugova për kontributin e tij si udhëheqës i Grupit, duke i uruar pensionim të mbarë dhe duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tij gjatë viteve.
Në takim morën pjesë edhe Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, përfaqësuesi i EULEX-it, Alan Wilson, si dhe përfaqësues të institucioneve anëtare të Grupit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Ky takim riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për sigurimin e ushqimeve të kontrolluara dhe menaxhimin e efektshëm të kufijve në Kosovë.













































