Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se, bazuar në paralajmërimin e pranuar nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër reference 2025.9962, është identifikuar prania e substancës Cereulide në formulën (qumështin) për foshnje Nestlé – Nidina Optipro 1 (600g).

Sipas njoftimit, produkti i prekur mban lotin 52860346BB, ka origjinë nga Holanda dhe është importuar nga kompania Nestlé Nederland BV në Republikën e Kosovës.


AUV ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për bllokimin e këtij produkti në treg, ndërsa më pas do të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.

AUV u bën thirrje qytetarëve që, në rast se posedojnë këtë produkt, të mos e përdorin dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.