Site icon Telegrafi

Atentatorit nuk i shkrep arma në momentin e fundit – zëvendëspresidentja argjentinase i shpëtoi vdekjes

Zëvendëspresidentja e Argjentinës e ka shmangur për pak atentatin pasi arma e një personi të armatosur u bllokua teksa ia drejtoi atë në fytyrë.

Cristina Fernandez de Kirchner ishte duke përshëndetur mbështetësit jashtë shtëpisë së saj kur një burrë doli nga turma dhe i drejtoi një pistoletë në fytyrë.

Presidenti Alberto Fernandez tha se arma ishte e mbushur me pesë plumba, por nuk shkrepi asnjë, raporton bbc.

De Kirchner është në mes të një gjykimi për korrupsion dhe po kthehej nga gjykata. Ajo i mohon akuzat.

Policia tha se sulmuesi, të cilin mediat lokale e identifikuan si një 35-vjeçar brazilian, është arrestuar. Ata po përpiqen të zbulojnë motivin e sulmit.

 

Pamjet e shpërndara në mediat lokale treguan një burrë që i drejton armën 69-vjeçares dhe dukej se po përpiqej ta qëllonte. Më pas ajo ul kokën, por nuk pati asnjë të shtënë.

Ditët e fundit qindra protestues janë mbledhur në mbështetje të De Kirchber, ndërkohë që procesi gjyqësor është duke u zhvilluar.

De Kirchner akuzohet për mashtrimin e shtetit dhe për dhënien e kontratave të punëve publike në bastionin e saj në Patagoni, ndërsa ishte presidente midis 2007 dhe 2015.

Nëse shpallet fajtor në gjyq, prokurorët kanë kërkuar që ish-presidenti të përballet me 12 vjet burg dhe një ndalim të përjetshëm nga politika.

Megjithatë, ajo është presidente e Senatit dhe kështu gëzon imunitet parlamentar. Ajo nuk do të burgoset nëse dënimi i saj nuk ratifikohet nga Gjykata e Lartë e vendit, ose ajo humbet vendin e saj në Senat në zgjedhjet e ardhshme në fund të 2023.

Kirchner është përballur me shumë gjyqe të tjera për korrupsion pas kohës së saj si presidente. Vendimi i këtij gjykimi pritet të zgjasë disa muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version