Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmia e dëshmitares F.O, bashkëshortja e të dëmtuarit F.S në rastin ku Beqir Hoxha po akuzohet për fajde.
E njëjta ka deklaruar se nuk qëndron pranë dëshmisë së dhënë në Prokurori, nën arsyetimin se e njëjta asokohe ka qenë në stres për situatën në të cilën gjendej bashkëshorti i saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kësaj deklaratës nuk i rri karshi, atëherë isha në stres, nuk isha vetvetja”, ka thënë dëshmitarja.
Për të akuzuarin, e njëjta ka thënë se e njeh duke qenë se kishte ardhur disa herë për të kërkuar bashkëshortin e saj tek shtëpia e tyre.
Në pyetjen se pse në Prokurori ka deklaruar se i akuzuari ka kërkuar kamatë e njëjta ka pohuar se shkaku ishte stresi.
“Po atëherë isha me stres”, ka thënë shkurtimisht e njëjta.
Ndërsa, për të pandehurin thotë se nuk e di se çfarë raporte ka pasur ky i fundit me bashkëshortin e saj.
Në seancën e sotme ka qenë e paraparë të dëgjohet edhe nëna e të dëmtuarit M.S., e cila ka munguar për shkak se gjendet jashtë vendit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 6 nëntor 2023, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Hoxhës, i cili po ngarkohet për veprën penale të fajdesë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.