Java e pestë e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve solli dy ndeshje shumë të rëndësishme, ku Atalanta dhe Sporting morën fitore të sigurta.

Atalanta e kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, shënoi fitore të madhe në udhëtim duke mposhtur Eintracht Frankfurt me rezultat bindës 0-3.


Pjesa e dytë ishte vendimtare për italianët. Ademola Lookman zhbllokoi sfidën në minutën e 60-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Ederson dyfishoi rezultatin.

Serinë e golave e mbylli Charles De Ketelaere në minutën e 65-të, duke vulosur një fitore të pastër që e mban Atalantën mes ekipeve më në formë të grupit. Gjimshiti udhëhoqi sërish prapavijën me një paraqitje shumë solide, pa i lejuar vendasit të rrezikojnë seriozisht. Ai u zëvendësua në minutën e 76-të.

Në ndeshjen tjetër, Sporting CP triumfoi para tifozëve të vet me rezultat 3-0 ndaj Club Brugge. Goli i parë erdhi nga Matheus Quenda në minutën e 24-t, më pas Rúben Suárez e dyfishoi avantazhin në të 31-n, ndërsa fitoren e vulosi Francisco Trincão në minutën e 70-të.


Pas pesë javësh garë, Sporting dhe Atalanta kanë nga 10 pikë, duke mbajtur respektivisht vendin e 10-të dhe 12-të në renditjen e përgjithshme të fazës së ligës.

Club Brugge qëndron në vendin e 26-të me 4 pikë, po aq sa ka edhe Eintracht Frankfurt, i cili renditet i 28-ti. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app