Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, ka reaguar ndaj një ceremonie të zhvilluar sot nga Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale të Serbisë, ku u shpall publikisht përfshirja e Maqedonisë së Veriut në projektin serb “Sërbski Svet”, duke e quajtur këtë një akt të rëndë kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të shtetit.

Sipas ASH kjo paraqet një miratim zyrtar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për gjithë atë që ndodhi e u tha nga ministrja sërbe.


Nga ASH thonë se në aktivitetet e mbajtura në Manastir dhe Kajmakçallan, Maqedonia e Veriut u cilësua “tokë serbe”, ndërsa qytetet si Manastiri dhe Ohri u shpallën “qytete serbe”, me flamurin serb të shpallur “Flamur të bashkimit”.

Nga atje theksojnë se kjo ceremoni u mbajt në prezencë të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviç.

"Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale të Sërbisë sot e shpalli Maqedoninë e Veriut tokë sërbe, duke publikuar edhe zyrtarisht implementimin e projektit për futjen e vendit tonë në të ashtuquajturën “Sërbski Svet”.

Nga Manastiri dhe Kajmakallën u kremtua okupimi i Maqedonisë nga Sërbia, Manastiri dhe Ohri u shpallën qytete sërbe, ndërsa flamurin sërb e shpallën “Flamur të bashkimit”. E gjithë kjo ndodhi në prezencë të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, që paraqet një miratim zyrtar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për gjithë atë që ndodhi e u tha nga ministrja sërbe. E gjithë ceremonia u shoqërua me policë e ushtarë të Sërbisë, që simbolizon okupimin e vendit dhe shkel Kushtetutën dhe sovranitetin.

Ky akt konfirmon të gjitha paralajmërimet tona se Qeveria OBRM-PDUKM-ZNAM po e bën Maqedoninë e Veriut pjesë të Botës Sërbe, ndërsa partitë shqiptare nga VLEN e legjitimojnë dhe arsyetojnë tanimë edhe me veprime konkrete", thuhet në kumtesën e ASH-së.