Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj një marrëveshjeje të nënshkruar mes Fondit Pensional dhe të Sigurimit Invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe institucionit homolog të Republikës Srpska, entitetit autonom brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Nga ASH e cilësojnë këtë akt si “skandaloz”, bashkëpunimin me Millorad Dodikun, i cili u shpallur fajtor nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës dhe i sanksionuar ndërkombëtarisht.


“Në një kohë kur e gjithë bota demokratike po e izolon Dodikun, qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje me institucionet e tij, duke i dhënë oksigjen politik një figure të lidhur ngushtë me projektin e ‘Botës Serbe’, krah Putinit dhe kundër NATO-s e BE-së. VLEN u shfaq para qytetarëve si faktor i ndryshimit, por sot po mbyll sytë përballë afrimit të rrezikshëm me Republikën Srpska,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

ASH i bën thirrje qeverisë që të sqarojë opinionin publik mbi arsyet e kësaj marrëveshjeje.