LAJMI I FUNDIT:

Artisti lumian hollywoodian, Fatmir Bardhoci

Artisti lumian hollywoodian, Fatmir Bardhoci

Se njeriu për të arritur majat e afirmimit duhet të kalojë nëpër një kalvar peripecish e vuajtjesh gjithfare, tregon edhe rasti i artistit Fatmir Bardhoci. Ky ligj i pashkruar sikur po bëhet kodi i jetës për të gjithë njerëzit e suksesit

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Në të vërtetë, siç thotë një aforizëm e gjithëkohshme, timonieri i anijes nuk sprovohet në ujëra të qeta, por në dallgët e harlisura, flet Fatmir Bardhoci në mënyre ilustrative. Zaten, ekziston edhe thënia tjetër se, metali (ari) duhet që sa më shumë t’i nënshtrohet flakës së zjarrit në mënyrë që të marrë shkëlqim flakërues.


Këto dy thënie, sikur janë shkruar për artistin kuksian i cili më në fund ka gjetur kuptimin e emrit të tij simbolik: Fat- mir.

Po cilat ishin krajatat e këtij pinjolli të heronjve të Lumes, do të mësoni nga intervista në vijim.

Z. Bardhoci, është pothuajse iluziore që nga një qytet i vogël, të themi i humbur, sikurse është Kukësi, të depërtoni në SHBA, ku çdokush provon t’i realizojë ëndrrat supreme. Na intereson sinqerisht të dimë si ndodhi kjo mrekulli?

Kukësi është vërtet një qytet i vogël nëse i referohemi popullsisë, por për nga pesha historike dhe nga zemërgjerësia e popullsisë lumiane, ai nuk është i humbur, por është krenaria e të gjithë kombit shqiptar.

Kukësi është një qytet hero për te paktën dy shekujt e fundit. Për të informuar lexuesit tuaj, Kukësi është Luma e viteve 1912-1913. Për të mësuar më shumë për Lumen, informacionet më të detajuara mund të merren në muzeun e luftës në Beograd. Luma konsiderohet si armiku numër një i Serbisë pasi kjo trevë e vogël por me shpirt të madh, mposhti batalionet e Serbisë që pasi pushtuan Kosovën, u nisën për të pushtuar Shqipërinë duke shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid të tmerrshëm në të gjitha fshatrat ku shkelte këmba e shkjaut.

Ne krahinën e Lumes dhe më saktësisht në lumin Luma, u hodhën me mijëra ushtarë serb duke i shkatërruar plotësisht të gjitha forcat serbe. Së dyti, Kukësi, qyteti i krahinës së Lumes, u bë kryeqyteti i Shqipërisë në vitet 1998-1999. Një qytet jo më i madh se 15 mijë banorë, i bëri ballë një katastrofe humanitare të afër 500 mijë të mbijetuarve shqiptarë që i shpëtuan gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të shkaktuar nga armiku jonë shumëshekullor. Unë jam rritur me tregimet e gjyshes sime, me lotët e tharë të saj për babën dhe 100 burrat e fshatit Topojan që u detyruan të dorëzoheshin dhe të vriteshin në këmbim të grave dhe fëmijëve të zënë peng.

Unë jam lumjan dhe për t’ia ngritur Lumes emrin edhe në arenën ndërkombëtare të kinematografisë, e kam për nder të përfaqësoj emrin tim artistik Ilir LUMA.

Ëndrra ime amerikane ka filluar që në moshën fëmijërore. Kjo është një histori e një filmi në vete, por do të kufizohem në shpjegim shumë shkurt për lexuesit tuaj. Në moshën 15 vjeçare, në vitin 1989, vendosa të ik nga regjimi komunist, të lë familjen dhe të filloj jetën e jetimit me nënën gjallë. I inspiruar nga filmat e arteve luftarake të Bruce Lee dhe Van Dame, mu shkrep dëshira të ikja larg, mbase një ditë do të arrija edhe në SHBA, por dëshira ime ishte të stërvitesha në artet luftarake.

U rrita në kufi në Morinë, tek dajtë e mi, ku kaloja pjesën më të bukur të fëmijërisë. Më bënte përshtypje ndryshimi andej kufirit. Nga ana jonë, të gjitha arat kishin një ngjyrë, ndërsa nga një kodër ku shikoja arat e Vermicës andej kufirit, shikoja ngjyra të ndryshme. Ky ishte ndryshimi i parë që më bënte përshtypje. Pas një ngjarje vjedhjeje në dyqanin ku punonte, nënën time e dënuan me burg. U dashtë të shisnim shtëpinë për të paguar një pjesë të deficitit, por nuk mjaftoi. U dashtë të lija shkollën dhe të punoja për të paguar pjesën tjetër të dënimit të nënës. Shkollën e vazhdova natën. Në shkollë u njoha me disa shokë më të rritur se vetja. Kishim bërë plane të iknim jashtë shtetit së bashku me një grup. Fatkeqësisht, një shok i klasës u vra në përpjekje për të ikur për në Jugosllavi. Të tjerët që i kapën, regjimi i nxori në rrugë ku u torturuan barbarisht nga të gjithë qytetarët në qytetin e Peshkopisë. Nga ajo skenë e tmerrshme, vendosa të ikja i vetëm, në Kukës. Fatkeqësisht, edhe unë u kapa në kufi, por fatmirësisht shpëtova gjallë pasi u ndodha ekzakt në mes të kufirit të dy shteteve ku qëllohesha me kallashnikovë nga të dy anët.

Këto ngjarje vendosa t’i trajtoj edhe në film pasi regjimi diktatorial i mëparshëm ka bërë të pamundurën për të fshirë çdo shenjë të vuajtjeve të popullit shqiptar nga diktatura. Asnjë film i mirëfilltë nuk u lejua të xhirohej për periudhën e diktaturës. Kështu që të paktën, ne që jetojmë jashtë, duhet ta pasqyrojmë realitetin e vuajtjeve të popullit shqiptar nga vetë shqiptarët, si në asnjë vend tjetër në botë.

Të rinjtë, në fillim të karrierës zakonisht janë plot dilema se cilin profesion të jetës ta zgjedhin. Megjithatë, duket se ju qysh në start i keni hequr gjykimet sa i përket të ardhmes suaj.

Jo aspak! Babai im ishte oficer ushtrie. Ishte përgjegjësi për të gjithë vijën kufitare të veriut në rast mobilizimi për luftë. Ai donte të bëhesha edhe unë oficer. Përkundër kësaj, unë qëllimisht merrja nota të dobëta për të mos u bërë oficer, por në fakt gjatë periudhës së emigrimit në Gjermani, studiova për oficer sigurie. Shkollën e mesme e fillova për teknik ndërtimi dhe gjate punës së parë që bëra në Peshkopi, më futën në punë si hidraulik. Fati e solli që tani të drejtoj një firmë ndërtimi. Gjatë shkollës tetëvjeçare stërvitesha në sportin e mundjes. Ëndrra për të bërë diçka për kombin tim, bëri të mundur që tani të bëjmë filmin MUNDIJE dhe një sport kombëtar ta bëjmë ndërkombëtar. Kështu që asgjë nuk ishte e planifikuar, por dallgët e jetës të përplasin atje ku nuk ta merr mendja.

Si kanë qenë fillimet tuaja, keni pasur pengesa gjithfare që të depërtoni në ‘tokën e premtuar’ të mbushur plot talent në çdo profesion?

E vërteta është se ka vetëm shtatë vjet që jetoj në Amerikë. Kur erdha këtu isha i mirë trajnuar dhe i sprovuar nga jeta e kurbetit. Kisha një përvojë mbi 20-vjeçare duke kaluar kufijtë e të gjitha shteteve rreth Shqipërisë, në këmbë, vetëm, në borë, në shi. U rrita dhe u qytetërova në Gjermani ku kalova jetën time më të mirë, ku u arsimova dhe u trajnova për të qenë ky që jam sot. Kështu, Amerika ishte për mua vetëm një ndërrim adrese. U ambientova shpejt edhe me vështirësitë e jetës pasi i kisha kaluar të gjitha në vitet e mëparshme.

Slogani juaj i emërtuar me një simbolikë të forte quhet MUNDIJE. Na e zbërtheni kuptimin e këtij togfjalëshi domethënës?

Projekti filmik MUNDIJE, është shumëdimensional. Ky nuk është vetëm një projekt kinematografik. Kam punuar gjatë me aktorin e madh dhe regjisorin Xhevat Limani kur kemi prodhuar dokumentarin shkencor. MUNDIJE- është një çelës i një dere të mbyllur dhe të betonuar qe gati dymijë vite. Në atë derë të kyçur nga qarqe antishqiptare, fshihet i mbuluar me pluhur mijëravjeçar thesari më i çmuar i trashëgimisë kulturore pellazge-shqiptare. Gjithçka ka lidhje me historinë e falsifikuar dhe të fshirë të popullit shqiptar.

MUNDIJE, DIJA e MUNJES së kundërshtarit, është një art pellazg, i cili u ndalua pas pushtimit romak të Gadishullit Ilirik sepse konkurronte teknikat luftarake të pushtuesve dhe aftësonte popullsinë civile për t’ju kundërvënë perandorisë. Ky art ekzistonte që në lindjen e popullsisë pellazge dhe u trashëgua brez pas brezi. Edhe sot, kjo traditë edhe pse e cunguar, trashëgohet akoma në trojet autoktone të Dardaneve duke përfshirë Maqedoninë, Kosovën e mbetur dhe Shqipërinë veriore.

Kështu që nëpërmjet këtij filmi artistik, jam munduar të përfshij disa kontribute për vendin tonë siç janë: reklamimi i artit antik pellazg MUNDIJE në shërbim të ndërkombëtarizimit të tij; promovimin e vlerave të popullit shqiptar siç janë besa, trimëria, vendosmëria; evidentimi i ndihmës që kanë dhënë shqiptarët për popullsinë hebreje; dramave, gjenocideve, vuajtjeve që ka kaluar populli shqiptar nga pushtues të huaj dhe shqiptarë deri në ditët e sotme. Ky është filmi i parë në historinë e kinematografisë shqiptare që xhirohet në Hollywood me aktorët më të mirë botëror dhe shqiptar nga të gjitha trevat. Do të jetë një vlerë e shtuar kombëtare, ku shqiptarët promovohen më së miri dhe do të rrisim ndjenjën e krenarisë kombëtare kudo që ndodhen.

Në filmin tuaj përshkruhet edhe golgota shqiptare, vuajtjet dhe krajatat që ka përjetuar kombi ynë nëpër kapërcyell të kohës. Sa ka arritur filmi ta pasqyrojë këtë mynxyrë të kohës?

Jo një film artistik, por as një akademi filmike e posaçme e një shteti si Amerika, nuk do të mund të përballojë volumin kolosal të ngjarjeve që ka kaluar kombi jonë. Ne jemi munduar të pasqyrojmë pa ia ndryshuar drejtimin artistik filmit, aq sa na është lejuar në ato pak minuta, ngjarjet më të rëndësishme të epokave më të freskëta të vuajtjeve, ku përjetuesit dhe pasardhësit e viktimave të tyre janë akoma gjallë.

Një nga tmerret e panjohura për të huajt është gjenocidi dhe spastrimi etnik që ndodhi në Çamëri. Këto ngjarje janë pjesë e skenarit dhe do të trajtohen në film. Ne nuk mund ta kthejmë kohën mbrapa dhe as viktimat me anë të një filmi, por ajo që ne mund të bëjmë, është të kërkojmë që historia e vërtetë e shqiptarëve të ndriçohet dhe të rishkruhet. Kjo është një kërkesë dhe detyrë shtëpie për brezat që vijnë!

Një pjesë tjetër e historisë, kalvarit të vuajtjeve dhe pasojave që ato kanë lënë në popullsinë shqiptare, është edhe tmerri i përjetuar nga regjimi më i egër komunist në botë. Në Kukës, në vitin 1988, unë, vetëm 14 vjeç, pashë me sy varjen e poetit Havzi Nela në mes të qytetit. Kjo është një dramë që të ndjek gjatë gjithë jetës. Si mund të varet një poet, vetëm pse shkroi dy poezi kundër regjimit komunist?! Atë që ta bën i joti, s’ta bën as shkjau – thoshin të vjetrit. Prandaj, duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara, të ngremë kokën dhe të hapim sytë para se të na pushtojë e keqja jonë.

Në këtë kronologji të ecejakeve tuaja, e keni provuar veten qoftë si aktor, skenarist, por edhe si regjisor. Ku e gjeni veten më të arrirë?

Unë nuk jam aktor profesionist. Profesionist i themi atij që ka studiuar për këtë dhe jeton me këtë profesion. Aktrimin e kam pasion, krahas pasionit që kam për sportin. Në përgjithësi, nuk jam një njeri tipik që ndjek rregullat me fanatizëm apo rri në rresht deri sa t’i vijë radha. Gjëja që kam më shumë inat është të rri në radhë apo të rri në trafik mbas një kamioni që më zë pamjen. Kështu që, sa të futem në rresht, kërkoj si të dal i pari duke i kaluar të tjerët pa radhë.

Në Amerikë, fillova aktrimin në disa seriale televizive ku falë eksperiencës time, kam pasur kryesisht role policore dhe detektive në disa role ‘background’ dhe fare pak ‘speaking rolës’ në filmat serial më të ndjekur në Amerikë: Blackbuster, Blue Bloods, Law & Order, Succession, Power, etj.

Është një eksperiencë e jashtëzakonshme pasi shërben si praktikë në studiot më të mëdha amerikane, njihesh me teknologjinë më moderne të filmit, nëse je i interesuar vjedh në çdo fushë të xhirimit të filmit mënyrat dhe sekretet e xhirimit. Me pak fjalë, është një shkollë praktike e filmit amerikan. Por, po të merresh vetëm me filma, duhet të zësh një vend poshtë urave, sepse nuk ja del të përballosh jetesën në New York. Prandaj, vendosa të kaloj rreshtat dhe të mos merrem me filma të tjerë të cilët do më hanë vitet e jetës. Ju përkushtova punës time dhe projektit kombëtar të MUNDIJES.

Si skenarist, rezultatin do ta mësojmë kur filmi t’i prezantohet publikut, ndonëse nuk jam regjisor. Duhen vite për t’i thënë vetes regjisor. Gjatë filmit kam drejtuar skenat e xhiruara në Shqipëri, por vlerësimin do të ma japë publiku edhe pse në prezantimet që kishim në Hollywood u pëlqyen shumë dhe ishin çelësi i pranimit të bashkëpunimit me regjisorin dhe stafin amerikan. Për këtë dua të falënderoj gjithë grupin e xhirimit nga Kosova, drejtorët e fotografisë Latif Hassolli, Adonis Krasniqi, Soundmixer Gëzim Rama, aktorët e talentuar, Xhevat Limani, Bruno Shllaku, Laert Vasili, Freskida Miloti, Avdullah Gjikokaj, Ermal Sadiku etj.

Mbase ende jeni në kërkim të majave të kinematografisë dhe sigurisht synoni kulmet e famës anipse në Olimp, siç thuhet, nuk ka vend për të gjithë.

Siç e thashë më lart, nuk më pëlqen të më zë dritën dikush. Dmth., dua të jem i pari. Jo, nuk është çështje fame këtu. Nuk e dua famën, përkundrazi preferoj të jem organizator dhe jo aktor, por… Së bashku me menaxherët kemi diskutuar mënyrat më të mira që ky projekt të jetë më i suksesshëm. Kishim dy alternativa: ose të marrim një aktor të huaj, shumë të njohur që ta shiste filmin fama e tij por duke ndryshuar skenarin, ose të bëja vet rolin kryesor, duke i qëndruar fanatik skenarit, por duke rrezikuar shikueshmërinë e filmit.

Përse kërkonit ta merrni vet rolin kryesor?

Sepse nëse do ta mbajmë skenarin siç është për të pasqyruar të gjitha elementet e rëndësishme me karakter kombëtar që përmban, aktori kryesor, protagonisti duhej të plotësonte këto kushte: të fliste shqip, të fliste gjermanisht dhe greqisht për shkak të lidhjes me Çamërinë, të njihte mirë artet luftarake Taekwondo dhe MUNDIJE. Kjo ishte një dilemë e madhe, sa emocionale por edhe e dhimbshme për t’u ndarë nga roli profesional i producentit, por edhe i atij të skenaristit. Pas takimit që kisha në Hollywood me regjisorin, Line producer dhe menaxherin, ata ishin të mendimit që askush tjetër nuk mundet ta bëjë këtë rol përveç meje dhe, kështu u vendos përfundimisht.

Ju, pothuajse jeni njësoj i suksesshëm në shumë veprimtari. Ju lutem na i cekni zhanret e sporteve me të cilat merreni dhe ku keni prekur suksese të admirueshme.

Do doja të isha aq i suksesshëm sa kisha dëshirë, por populli jonë ka një thënie shumë filozofike: “shtriji këmbët sa ke jorganin”. Pavarësisht kësaj, mendoj se ne shqiptarët e ngelur (kujtoni që jemi më pak se pesë milionë në tokat shqiptare) kemi arritur shumë në sportet luftarake krahasuar me kombe shumë më të mëdha se ne. Siç e thashë më lart, unë kisha një jetë të vështirë, i rritur jetim me nënën gjallë në kurbet. Në këto kushte nuk mund të bëja sport normalisht, sepse duhet të kaloja vuajtje të paimagjinueshme duke kërkuar punë, shtëpi, të flija jashtë herë pas here, të mblidhja para për të përballuar jetesën, për të mbështetur familjen në Shqipëri, etj. Pasi u trajnova në Greqi për rreth katër vite në sportet Taekwondo, Mundje, Kickboxing, duke punuar njëkohësisht, u ktheva në Shqipëri për të themeluar federatën shqiptare të sportit Taekwondo në vitin 1995. Më 1997 përfaqësova Shqipërinë në kampionatin evropian si trajner i ekipit kombëtar.

Besimi që kisha tek sportistët e mi ishte maksimal edhe pse me vetëm 1.5 vjet stërvitje. Shqipëria në atë kohë kishte maksimumi 50 sportistë. Shorti na ra kundër Rusisë dhe Belgjikë në eliminatore. Imagjinoni përfaqësuesin e Shqipërisë që stërvitej jashtë nën hijen e pishave për vetëm një vit e gjysmë, kundër përfaqësuesit të Rusisë, brez i zi 3 dan, me 12 vjet stërvitje nga një shtet me afër 150 milionë banorë dhe afër 500 mijë sportistë. Shqiptarët fituan kundër Rusisë dhe Belgjikës. Këto rezultate edhe sot janë rekord mbarëkombëtar. Unë, pastaj u largova në Gjermani për t’u rikthyer Shqipëri në vitin 2010 ku mora drejtimin e federatës shqiptare të Taekwondos. Gjatë një periudhe pesëvjeçare arritëm rezultate të mahnitshme, me dhjetëra medalje ndërkombëtare përfshirë dy medalje argjendi dhe një bronzi në kampionatin evropian, fitore ndaj kampionëve dhe nënkampionëve të botës në Taekwondo.

Gjithashtu, në kampionatin e parë botëror në sportin e Kickboksit, ku unë e përfaqësoja ekipin si President i Federatës Shqiptare, ne ftuam në ekipin kombëtar edhe ekipin e Kosovës. Kjo ishte një ngjarje e madhe historike që ministria e sportit të Kosovës duhet ta regjistrojë, sepse është përfaqësimi i parë ndërkombëtar si shtet në sportin e Kickboksit. Në atë kohë kryeministri grek vizitonte Serbinë si mbështetje për të mos e njohur Kosovën si shtet. Unë arrita t’i marr vizat e katër sportistëve shqiptar të Kosovës me pretekstin se ata jetojnë në Shqipëri, por që s’kanë pasaportë shqiptare. Kur shkuam në kampionatin botëror që mbahej në Greqi, arritëm të korrnim fitore dhe të fitonim një medalje ari dhe gjashtë bronzi, përfshirë dhe vetë një medalje bronzi për mjeshtër në teknika speciale.

Në kohën e ceremonisë së ekipeve, një ditë me shi, në stadiumin e qytetit të gjitha ekipet përfaqësuese të 65 shteteve pjesëmarrëse ishin rreshtuar të parakalonin para bandës së ushtrisë dhe drejtuesve lokalë në tribunë. Në bazë të alfabetit, ne ishim të parët. Vendosa ta ndajë ekipin në dy pjesë për t’i dhënë përfaqësimin edhe ekipit të shtetit të Kosovës. Grekët refuzuan! Preteksti ishte se shteti grek nuk e njeh Republikën e Kosovës. Unë isha drejtuesi i të dy ekipeve përfaqësuese. E bllokuam aktivitetin duke i lënë të gjithë sportistët në shi derisa vendosën që të shkruajnë një tabelë me mbishkrimin Kosova duke e njohur me këtë rast de facto Republikën e Kosovës në sport. Të tjera ngjarje sportive të rëndësishme në sportin olimpik te Taekwondo janë medaljet e arritura në New York me sportistët shqiptarë të trajnuar nga ne, “Bijtë e Shqipes” janë dy medalje ari, kampionë të shteteve të New Yorkut dhe te New Jersey nga dy sportistë shqiptar.

Që në vitin 2017, në New York ne kemi themeluar dy shkolla të sportit të MUNDIJES. Në vitin 2022, ky ekip mori pjesë në kampionatin botëror të arteve luftarake duke arritur dy fitore në një kohë. Së pari arritëm ta fusim sportin e MUNDIJES si pjesë të arteve luftarake ndërkombëtare dhe së dyti, ekipi shqiptar mori nëntë medalje nderi duke mposhtur të gjithë kundërshtarët, duke u ndeshur me kundërshtarë të moshave më të larta si dhe me eksperiencë shumë më të madhe në këto sporte.

Loja juaj në njëfarë mënyrë, në shikim të parë, duket orvelliane, meqë ushtroni sporte marciale që kërkojnë imagjinatë, fuqi, koncentrim dhe vetëbesim. A di t’ia shtonit edhe ndonjë komponentë këtij diskuri?

Unë, ashtu si dhe të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, jemi viktima të sistemit politik orvellian të korruptuar shqiptar, që kontrollon jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e të gjithë shqiptarëve. Sistemi që ne kemi përjetuar na ka ndryshuar edhe karakterin. Shikoni popullin e një shteti që ka siguri, mirëqenie, demokraci, ata janë të qeshur, të qetë, pa rrudha në fytyrë. Shikoni popullin tonë, edhe kur qeshim nuk dimë, nuk mundemi, na aktivizohen rrudhat në të gjithë fytyrën. Prandaj edhe karakteri im në film por dhe jashtë tij, është produkt i jetës mizore diktatoriale dhe pseudodemokratike.

Një nga veçoritë karakteristike të shqiptarëve e cila është edhe thelbi i filmit është sakrifica që ne bëjmë për Besën e dhënë, vlerë unike që dikur na karakterizonte. Tjetër karakteristikë e aktorit protagonist në rol është serioziteti dhe perfeksionizmi në artet luftarake. Ndryshe nga të gjithë filmat aksion me arte luftarake, tek MUNDIJE protagonisti është profesionist në eliminimin e kundërshtarëve me goditje të shpejta dhe efikase si dhe pa përdorimin e asnjë arme, me vetëm duar bosh ndaj kundërshtarëve edhe të armatosur.

Posteri i filmit sigurisht do të ndryshohet sepse do të ketë figurat kryesore të aktorëve hollywoodianë te kastuar si Armand Asante, Danny Trejo, Cynthia Rothrock, Nina Bergman etj.

Filmi, ndryshe nga teatri është diku më i thjeshtë, por diku më i vështirë. Filmat aksion kanë shumë të përbashkëta me teatrin për nga faza përgatitore. Në teatër nuk ke mundësi të korrigjosh aktrimin, ndërsa në film po. Por nga ana tjetër, të duhet një jetë pune për t’u bërë ai që je në realitet. Kështu që, në film unë jam vetvetja, bazuar në karakterin dhe personalitetin tim. Ndryshe nga shume filma aksion që shikojmë ku të gjithë protagonistët janë të dubluar, në rolin tim në të gjitha skenat aksion do të jem vet performuesi. Kjo sigurisht kërkon një punë të jashtëzakonshme, përkushtim dhe vetëbesim të bazuar në realizëm. Prandaj, deri në fillimet e xhirimeve na presin tre muaj plot angazhim për të arritur të pamundurën dhe për të vendosur një gur themeli në kinematografinë botërore ku do të flitet shqip dhe do të mendohet pellazgjisht.

Ju, keni patur një depërtim shigjetar në artin më elitar. Na përshkruani pak jetën tuaj prej artisti dhe sportisti në shtratin e këtyre dy arteve planetare.

Një aktor në filmat aksion mund të bëhet i mire nëse ka pak talent aktrimi, por nëse një mjeshtër i arteve marciale performon suksesshëm edhe aktrimin, atëherë kjo bëhet një mrekulli. Shumë pak aktorë kanë qenë sportistë të suksesshëm. Prandaj kjo është një risi. Në këtë film marrin pjesë aktorë profesionistë, mjeshtra të njohur ndërkombëtar dhe ish-sportistë profesionist. Kjo është një risi edhe për vetë kinematografinë amerikane sepse do të shikojnë një film aksion nga mjeshtra, jo vetëm aktore.

Kush është idoli juaj në film dhe sport që ju ka ngazëllyer dhe motivuar për gjakimin tuaj?

Bruce Lee, ka qenë ylli im polar. Pastaj, aktori që më motivoi me aktrimin e tij brilant ishte Van Dame. Roli im në këtë film do të jetë një miks i Van Dame, Daniel Craig dhe Keanu Reeves.

Ju e shikoni modestinë si virtyt apo si diçka e tepruar? Sepse, nuk thuhet kot, parimi nuk ia vlen të mbahet aty ku nuk çmohet.

Modestia është virtyt për sa kohë i përshtatet vendit, ambientit dhe shoqërisë ku jetojmë.
Gjithçka e tepruar nuk është mirë. Prandaj modestia ka gjithashtu një kufi. Sipas vendit edhe kuvendi. Edhe maturia ka limit. Por njerëzit duhet të kenë dhe të mbajnë parimet e tyre pavarësisht vendit nëse çmohen apo jo.

A është vështirë të transformoheni nga një karakter në tjetrin anipse pikërisht kjo komponentë e dallon artistin nga një njeri i rëndomtë?

Kjo është karakteristike tipike e një aktori profesional teatri. Një aktor filmi e ka shumë më të vështirë të ndryshojë karakterin. Edhe nëse e ndryshon, njëri karakter do të jetë më i dobët se tjetri dhe aktori i filmit rrezikon të bëhet teatral gjë e cila bie ndesh me logjikën e aktrimit në film.

E keni sprovuar veten edhe duke themeluar një kanal televiziv. Cili ka qenë qëllimi krucial kur e keni hapur këtë medium?

Po, e vërtetë. Ne kemi hapur një kanal televiziv në New York, Albanian World Tv- Bota Shqiptare, dhe po mundohemi ta gremë më lart. Qëllimi është t’i vijmë në ndihmë qytetarëve shqiptar, kryesisht emigrantëve në gjithë botën me emisione të ndryshme, kryesisht edukative, historike, informative por pa asnjë kronikë të zezë, emisione të gjuhës që do të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj të fëmijëve të emigrantëve.

Ju, a keni trashëguar diçka nga familja e gjerë dhe a po ju trashëgon juve dikush nga ndonjë vokacion juaji?

Nga familja ime kam trashëguar gjithçka që kam, karakterin tim, gjakun e pastër 100% shqiptar.
Trashëgimet materiale janë të trashëgueshme siç merren ashtu dhe duhet të lihen. Nëse do të kem ndonjë trashëgimtar ndonjëherë, uroj që të përfitojë nga virtytet e prindërve të mi, të cilat janë më të çmuarat nga pasuria ime shpirtërore dhe sigurisht nëse unë do të arrij t’i bëj ëndrrat e mia realitet, le të marrë pak edhe nga çmenduria ime këmbëngulëse.

Akëcili artist, bën plane afatmesme dhe afatgjata. Cilat janë prioritetet tuaja më të afërta dhe cilat janë ato që duken në horizont?

Gjithçka sot është e fokusuar për të gjetur financimet e nevojshme për të realizuar filmin, pasi nuk kemi asnjë mbështetje financiare nga asnjë institucion i qeverive shqiptare, edhe pse me ligj e kanë të detyruar. Por nuk e ndryshojmë dot realitetin. Jemi populli më i varfër në Evropë me politikanët më të pasuruar nga varfëria e tij. Të gjitha fondet e filmave vidhen dhe si pasojë nuk kemi as filma të mirë. Pas këtij projekti, familja në radhe të parë dhe ndërkombëtarizimi i sportit te MUNDIJES janë prioriteti kryesor!

https://www.youtube.com/watch?v=kM3Quwy2COc&t=157s

Pa asnjë ndihme nga shtetet shqiptare, po nga shteti amerikan? Si do ta realizoni këtë projekt kaq të madh?

Asnjë ndihmë, zero! Si mund ta imagjinoni një ndihmë për një film me karakter kombëtar që në skenar ka edhe pjesë nga gjenocidi në Çamëri, kur drejtori kryesor i fondeve evropiane në qendrën kinematografike është grek? Gjithçka është e bazuar në fitimet nga puna ime personale duke mbledhur çdo gjë dhe për ta investuar në film. Ne kemi hapur edhe një llogari mbështetëse GoFundMe tek web page www.mundije.com ku çdokush mund të ndihmojë këtë film. Uroj që kjo të ndryshojë këto dy muaj në mënyrë që të arrijmë tek fondet e nevojshme për të realizuar një film të standardeve hollywoodiane me aktorët e planifikuar të cilët na kushtojnë më së shumti.

Çfarë ju ofroni atyre që duan të kontribuojnë apo investojnë në këtë projekt ndërkombëtar filmi?

Çdokush mund të kontribuojë pavarësisht nga shuma. Ne do t’ua kthejmë investimin në të mira morale dhe materiale duke filluar nga biletat për kinema, dvd të filmit të personalizuara në shenjë mirënjohje, bizneseve mundësimin e reklamimit në kanalin e televizionit Albanian World, publikim në listën e kontribuuesve si dhe pjesëmarrje në film në role dytësore, background, etj.

Siç duket projekti juaj është shumëdimensional, jo vetëm kinematografik. Cila është ‘zemra dhe truri’ i gjithë projektit?

Siç e thashë, filmi është pjesë e projektit të madh kombëtar dhe i shërben direkt ndërkombëtarizimit të sportit antik pellazg MUNDIJE. Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të jashtëzakonshme për të kultivuar sportet luftarake. Është traditë mbi tremijë vjeçare. Ne kemi gjithçka çfarë një sportisti i duhet për të qenë të parët në botë. Shikoni sportistët e xhudos. Po konkurrojnë Japoninë, shtetin e origjinës. Ne kemi të gjithë infrastrukturën e nevojshme, palestrat sportive, rininë që i dashuron këto sporte, klimën e favorshme, karakterin luftarak, traditën mijëvjeçare, etj., për të ringjallur dhe kultivuar një sport masiv dhe industri eksporti fitimprurëse për ekonominë shtetërore dhe familjare.

Zemra e këtij projekti është historia shqiptare dhe e drejta për të kërkuar njohjen e historisë reale të shqiptarëve. Truri është subjektiviteti i Dijes së MUNJES, shkencës së triumfit mbi çdo vështirësi dhe kundërshtar!

Siç po shihet, keni dyndje marramendëse kohe. Megjithatë nuk mund t’i ikim pyetjes rutinë, a gjeni kohë edhe për ndonjë çast të lirë?

Është e vërtetë. Gjithçka është e ngjeshur maksimalisht, përgatitjet teknike dhe organizative zënë kohën më të madhe. Deri në fillim të xhirimeve që janë të planifikuara në LA Hollywood më 15 janar, çdo gjë është e planifikuar maksimalisht.

Zakonisht çdo intervistuesi në fund të bisedës i merret edhe porosia dedikuar të rinjve të cilët synojnë të arrijnë një karrierë të suksesshme në jetë si dhe bashkatdhetarëve në përgjithësi. Cili do të ishte mesazhi juaj sublim?

Jeta e një karriere të suksesshme është si përvoja e një minatori në minierë të arit. Dikush gërmon me muaj të tërë dhe demoralizohet dikur pak para se të arrijë atë që kërkon. Një minator tjetër sapo futet, gërmon pak dhe gjen flori. Qëllimit të suksesit ia arrin vetëm ai që nuk tërhiqet kurrë pa ia arritur! Vendosmëri, përkushtim, vazhdueshmëri dhe besim në vetvete! Ndërsa bashkatdhetarëve kudo që ndodhen, i lus që të kontribuojnë me aq mundësi sa kanë në mbështetje financiare për këtë film, projekt mbarëkombëtar. Një investim sado i vogël në këtë projekt të madh, do t’ju kthehet në mirënjohje, vlerësim dhe krenari në çdo vend ku jetoni, pasi sa më lart të shkojë ky film aq më lart do të ngrihet imazhi i shqiptarëve dhe aq më i madh do të jetë respekti i të huajve ndaj jush, kudo që të ndodheni.

Na kontaktoni dhe të punojmë të gjithë së bashku për një qëllim të përbashkët: ta ngremë emrin shqiptar në majën e kinematografisë botërore. Me ndihmën e secilit, ne mundemi! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori