Arsimi ndali Shkëndijën në Tetovë

Dy skuadrat shqiptare, Shkëndija dhe Arsimi zhvilluan një duel të fortë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ku Arsimi arriti një barazim të madh 0-0 ndaj Shkëndijës kampione, njofton Telegrafi.
Në një ndeshje mes dy skuadrave shqiptare në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, Arsimi ka arritur të ndalë kampionin aktual Shkëndijën, duke barazuar 0-0 në Tetovë.
Takimi ishte i mbushur me raste të mira për shënim, por mungesa e efikasitetit dhe pritjet vendimtare të portierëve bënë që rrjetat të mbeten të paprekura.
Shkëndija, e cila me mendje ishte edhe te ndeshja e rëndësishme evropiane kundër Ludogoretsit, luajti me formacion të kombinuar dhe aktivizoi disa lojtarë të rinj. Kjo i dha mundësi Arsimit të tregonte më shumë guxim dhe lojë të hapur, duke rrezikuar që në minutat e para me goditjen spektakolare të Olatunbos, por Gaje reagoi në kohë.
Në pjesën e dytë trajneri Jeton Beqiri hodhi në lojë emra si Zejnullai, Alhassan, Ibraimi dhe Latifi për të rritur intensitetin, ndërsa rasti më i mirë iu dha debutuesit Atdhe Mazarit, i cili humbi një mundësi të artë për të shënuar.
Nga ana tjetër, edhe Arsimi pati shanset e veta të arta. Peroviqi iu afrua golit dy herë, fillimisht u ndal nga portieri Gaje, ndërsa më pas goditja e tij përfundoi në traversë.
Në fund, barazimi pa gola rezultoi si epilogu më i drejtë i një ndeshjeje të fortë dhe me shumë emocione. Për Arsimin kjo është një pikë e madhe, pasi arritën të ndalin kampionin në fuqi, ndërsa për Shkëndijën mbetet shqetësuese efikasiteti në prag të sfidës vendimtare evropiane ndaj Ludogoretsit. Java e tretë mbyllet nesër me dy duele të tjera, Bashkimi në Kumanovë pret Tikveshin, ndërsa Shkupi në Kavadar do të jetë mysafir i Pelsterit. /Telegrafi/

















































