Ish-ministrja katalanase dhe eurodeputetja aktuale Clara Ponsati, u arrestua me rastin e kthimit e saj në Spanjë, pasi kaloi pesë vjet në ekzil në Skoci dhe Belgjikë.
Pavarësisht se ndaj saj kishte një urdhër-arrest të hapur për rolin e saj në referendumin e pavarësisë së Katalonisë që u organizua në vitin 2017, Ponsati u kthye në Barcelonë, transmeton Telegrafi.
Para arrestimit, ajo tha se Spanja nuk ka të drejtë ta arrestojë, duke qenë se ka imunitet si deputete e Parlamentit Evropian.
“Nëse më ndaloni, do të duhet të përballeni me pasojat. Unë nuk ua njoh juridiksionin e gjyqtarëve. Nëse ka arrest, ne do të reagojmë”, tha Ponsati në konferencën për shtyp.
Pasi iu drejtua mediave, Ponsati vendosi të shëtiste nëpër rrugët e Barcelonës, kur iu afrua një pjesëtar i shërbimit të policisë Mossos.
“Inspektori iu afrua dhe i tregoi distinktivin e tij, të cilit ajo iu përgjigj duke i treguar akreditimin si deputete e Parlamentit Evropian. Pas diskutimit, ajo pranoi të hipte në veturë dhe u transferua në pallatin e drejtësisë”, shkruan El. Pais.
Me rastin e arrestimit të Ponsatit, një tjetër eurodeputet në arrati, Carles Puigdemont, foli dhe tha se arrestimi i Ponsatit ishte shkelje e të drejtave themelore.
“Presidentja e Parlamentit Evropian nuk mund t’i shikojë gjërat nga ana siç po bën tani”, tha Puidgemont.
Megjithatë, ndryshe nga zyrtarët e tjerë katalanas që morën pjesë në organizimin e referendumit, Ponsati nuk përballet me dënim me burg duke pasur parasysh se gjykata e akuzon për veprën penale të “mosbindjes”, që nënkupton ndalimin e funksioneve publike. /Telegrafi/