Një person tjetër është arrestuar në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Laboratori 25”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

I dyshuari N.S. është ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorisë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.


Sipas hetimeve, dyshohet se N.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar 2025, ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë në lagjen Qëndresa në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që ka prodhuar dokumente publike të falsifikuara, përfshirë pasaporta, patentë-shofera dhe dokumente të tjera, të destinuara për mbi 50 shtete të botës.

Shtëpia e marrë me qira në emër të N.S., që shërbente si laborator, është kontrolluar nga autoritetet, ku janë gjetur pajisje të sofistikuara për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat më pas supozohej të prezantoheshin dhe përdoreshin si origjinale.

Prokuroria Speciale, bashkë me hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale./Telegrafi/