Arrestohet një person në Kaçanik për sulm ndaj policisë

Policia Rajonale në Ferizaj ka njoftuar se njësia policore në Kaçanik gjatë patrullimit ka vërejtur një automjet të dyshuar në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar dhe ka urdhëruar për ndalim dhe të njëjtit nuk janë ndaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, të njëjtit kanë vozitur me shpejtësi të vrullshme në drejtim të zyrtarëve policorë.
“Gjatë incidentit, me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejt për zyrtarët policorë, njëri nga zyrtarët policorë ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të automjetit të dyshuar. Të dyshuarit kanë ikur nga automjeti dhe nga vendi i ngjarjes. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes aty është paraqitur një mashkull i dyshuar kosovar, i cili me vendim të prokurorit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje. Automjeti në të cilin kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara është sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë informuar institucionet kompetente dhe rasti po trajtohet nga njësitet kompetente policore./Telegrafi/
















































