Arrestohen katër zyrtarë komunalë për keqpërdorim të pozitës në Gjakovë

Katër persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Arrestimi u bë pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.
Të dyshuarit — dy burra dhe dy gra — janë zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Gjakovës, thuhet në njoftimin për media të policisë.
Sipas informacioneve të Policisë, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se gjatë viteve 2018 dhe 2019, këta zyrtarë kanë lëshuar pëlqime dhe vendime të kundërligjshme për parcelizim dhe bartje pronash në emër të personave të tretë, pa dijeninë apo autorizimin e pronarëve legjitimë.
Hetimet kanë siguruar prova që mbështesin dyshimet për veprime të paligjshme të të arrestuarve.
Të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po trajtohet si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

















































