Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi që dyshohet se kanë shkaktuar zjarrvënie nga pakujdesia, duke djegur rreth 7 hektarë tokë të mbjellë me grurë në dy raste të ndara në komunën e Vitisë.

Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Viti, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar hetime intensive dhe ka arritur që më 10 korrik 2025 të identifikojë dhe arrestojë dy të dyshuar meshkuj kosovarë.


Policia ka njoftuar se rastet kanë ndodhur në rrugën “Ylvi Demiri” në qytetin e Vitisë dhe në fshatin Sllatinë e Ulët.

Në të dy rastet, zjarri është shpërndarë në mënyrë të pakontrolluar si pasojë e djegies së mbeturinave në kushte të papërshtatshme, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha bujqësore dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dy të dyshuarve do të ngritën kallëzime penale për veprën e lartcekur.

Policia Rajonale e Gjilanit apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë muajve të verës dhe të shmangin ndezjen e zjarrit në vende të hapura, për të mos rrezikuar jetën, pronën dhe ambientin.

Çdo rast i zjarrit apo veprimtari e dyshuar mund të raportohet menjëherë në numrat emergjentë 192 ose 112.