Arrestohen dy persona në Istog, sulmuan fizikisht njëri tjetrin

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në lidhje me një incident që ndodhi më 21 maj 2025, rreth orës 03:00, në fshatin Banjë të Istogut, ku pas një vetaksidenti, dy viktima u sulmuan fizikisht nga persona të panjohur.
Sipas informacioneve të Policisë Rajonale në Pejë, fillimisht një veturë me targa të huaja ishte ndalur në vendin e aksidentit dhe të dyshuarit iu kishin ofruar ndihmë personave të aksidentuar.
Më pas, të njëjtit dyshohet se i kanë sulmuar fizikisht, duke shkaktuar lëndime trupore – njëri nga viktimat ka pësuar lëndim në hundë, ndërsa tjetri lëndime nga një mjet i mprehtë.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor. Ndërkohë, të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Falë një pune intensive hetimore nga Stacioni Policor në Istog, të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar po të njëjtën ditë, rreth orës 16:00.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”./Telegrafi/


















































