Armë të avancuara amerikane për dronë, SHBA trajnon ushtrinë e Shqipërisë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se javën e kaluar, kontraktorët e kompanive amerikane në fushën e mbrojtjes trajnuan ushtrinë shqiptare për të përdorur teknologjinë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se këto armë të avancuara amerikane për dronë forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe mbështesin misionin e NATO-s për të ruajtur sigurinë kolektive.
“Dronët nuk janë problem për Aleatët e NATO-s! Javën e kaluar, kontraktorët e kompanive amerikane në fushën e mbrojtjes trajnuan ushtrinë shqiptare për të përdorur teknologjinë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë, e ofruar përmes Programit të Partneritetit Shtetëror të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të New Jersey. Këto armë të avancuara amerikane për dronë forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe mbështesin misionin e NATO-s për të ruajtur sigurinë kolektive”, thuhet në postim. /Telegrafi/

















































