Në lartësi njeriu më së miri e njeh veten dhe vlerën e vërtetë të jetës. Kjo është rrugë pa fund, e qëllimeve kalimtare dhe e dëshmimeve. Kjo është rrugë e cila i heq të gjitha maskat, tjetërsimin dhe dramat të cilat na i ka ndërtuar egoja. Kjo është kthim në Natyrë dhe e asaj klithme hyjnore brenda nesh.
Të gjithë ata të cilët ngjiten në Himalaje janë optimistë të përjetshëm. Ata nuk mendojnë për vdekjen, ata mendojnë vetëm për të arritur në majë. Ajo është magneti i cili i tërheq dhe ua largon vëmendjen nga çdo gjë tjetër.
Është e vështirë të imagjinohet peizazhi i cili do të na lërë mbresa më të mëdha, siç është Himalaja. Frojdi flet për vendet ku mund të humbësh, ku ju braktis identiteti personal dhe ku do të jeni të futur në “ndjenja oqeanore, ngjashëm me përvojën shpirtërore”.
Arineta Mula, alpinistja e ngjitur në Himalaja, përshkruan për Telegrafin se ç’ka ndier gjatë ekspeditës disaditore; poashtu flet për sfidat dhe përvojat të cilat i sjell ngjitja në lartësitë e mbështjella me akull.
Nuk ka shumë kohë që keni përfunduar ekspeditën tuaj duke ngjitur majat në Himalaje. Çfarë përvoje ishte?
Himalayat janë vargmale që shtrihen në Azi. Është shtëpia e bjeshkëve më të larta në botë, duke përfshirë Everestin. Madhështinë e shumë bjeshkëve e kemi përjetuar në secilin hap të ecjes sonë. Është krejtësisht ndryshe nga si përshkruhet në libra e paraqitet në filma. Është përjetim personal, njohje e vetvetes nga jashtë dhe brenda. Është botë tjetër që ndjehet thellësisht e vështirë mund përshkruhet me fjalë. Ju them të tjerëve që, nëse dëshirojnë të kanë një përjetim më ndryshe dhe shpirtëror, atëherë udhëtimin tuaj të radhës – bëjeni në Himalaye.
Sa keni qëndruar në këto ngjitje dhe cili ishte mendimi i parë që iu erdhi në mendje kur arritët atje?
Ngjitja në Everest zgjat dy muaj për shkak te aklimatizimit. Trupi jonë nuk është i gatshëm për t’u përballur me kushtet e presionit atmosferik, mungesën e oksigjenit, andaj na duhet më shumë kohë, të ecim ngadalë dhe të qëndrojmë disa ditë në pika të caktuara, ashtu siç janë të parashikuara nëpër kampe, në mënyrë që trupi jonë të arrijë nivelin e përshtatjes me kushtet e lartësisë.
Për arsye se ngjitja drejt majës bëhet natën, deri afër saj nuk ke ndonjë ndjenje të veçantë përpos sforcimit dhe luftës me veten që të mos ndalesh. Me të arritur në maje, s’kam dëgjuar asgjë, përpos kam ndjerë qetësinë shpirtërore…e di që kam mbyll njëherë sytë dhe i kam hap për me i besuar pamjes madhështore të bjeshkëve që, në ato pak momente, qëndrojnë nën ty. Jam shumë e lumtur sa herë e kujtoj.
Cila është ndjenja të jesh e pjesë e ekspeditës e cila ka shkelur në majën më të lartë të botës?
Ekspedita e Everestit ka qenë një ekspeditë e radhës e Klubit Alpin Prishtina, ashtu siç kanë qenë të mëparshmet. Bashkë me Nazmiun, ngjitjen e kemi bërë me parametra normal të bjeshkatarisë dhe jemi krenare për këtë, sepse kështu kemi përfaqësuar denjësisht bjeshkatarinë e Kosovës në Everest.
Supozoj që ngjitja ka qenë e vështirë, si edhe përgatitjet. Sa kanë zgjatur përgatitjet dhe nga çka janë përbërë ato?
Përgatitjet fizike i kam filluar para dy viteve. Përbërja e ushtrimeve ka qenë e përzier: ecje në bjeshkë me pesha; me tempo më të shpejtë; vrapimi i distancave të gjata, ushtrime të forcës, yoga.
Gjatë kësaj kohe kam realizuar ekspedita të cilat më kanë dhënë më shumë përvojë dhe njohuri të alpinizmit dhe bjeshkatarisë.
Cilat pajisje duhet t’i ketë një alpinist për ngjitje në Everest?
Sa i përket ngjitjes për Everest duhet të kesh pajisje të veçanta duke përfshirë: këpucë treshtresore të dizajnuara për temperatura të ulëta; kthetra për siguri në ngjitje, rroba të veçanta për temperatura të ulëta, të lehta dhe të përshtatshme për lartësi, shalarja ku vendosen litarët e sigurisë me karabina, kapela sigurie, frenuesi i dorës, doreza, maska e fytyrës, kazma etj.
Si përgatiteni për ngjitje? Sipas jush, alpinizmi a ka karakter garues?
Kohëzgjatja dymuajshe të detyron të kontraktosh një kompani ku përfshihet: ushqimi, tendat, numri i sherpave/guidave, numri i bocave te oksigjenit etj.). Ka një numër te madh te kompanive qe ofrojnë pako te ndryshme qe fillojnë nga 30,000€ deri ne 120,000€ për person.
Me gjithsej 372 bjeshkatarë sa ishin këtë vit për të tentuar Everestin, na vjen vetvetiu pyetja: a mund të këtë garë këtu? Sigurisht që jo, sepse varësisht nga buxheti zgjedh pakon dhe kështu krijohet laramani dhe pabarazi e ngjitjes. Aty ku ndodh që alpinisti profesional vdes e amatori ngjitet – nuk ka garë, thjeshte është marrëveshje kontraktuese që bëhet nga persona që ngjitjen dhe famën e blejnë me para. Këta, të paktën, një gjë të mirë e bëjnë: rrisin shumë të ardhurat e sherpave nga të cilat varen.
Duke pasur parasysh mundimin e tillë fizik dhe kushtet klimatike në të cilat keni qëndruar, me çka jeni ushqyer?
Ushqimi, tendat dhe çdo gjë tjetër është e planifikuar qysh para se të fillojë ekspedita. Ne kemi shkuar me një pako minimale. Përmbajtja e ushqimit zakonisht ka qenë: pasta, oriz, perime dhe supë. Ushqimi nuk ka qenë edhe shumë i pasuruar, por të gjitha këto na kanë bërë të kuptojmë që jemi të fortë dhe pasioni, përgatitja fizike e mendore mposhtin gjithçka.
Si ia bënit për të fjetur, po për të komunikuar me njerëzit e afërm?
Sikurse ushqimi edhe fjetja ka qenë e organizuar paraprakisht. Secili ka pasur tendën e veçantë në kampin bazë, e cila u shndërrua si shtëpia jonë për shkak të qëndrimit të gjatë aty. Gjatë fjetjes, tërë kohën kam ndjerë thyerje akullnajash poshtë, sepse mbi to qëndronim. Ndërkaq në kampet më lartë, fjetja shkonte duke u përkeqësuar për shkak se, nuk ke hapësirë të madhe për të vendosur tendat dhe mungesa e madhe e oksigjenit, vështirësonte fjetjen e rehatshme.
Do veçoja qëndrimin në zonën e vdekjes e përbërë nga gurë. Quhet kështu, sepse nuk mund të mbijetoj asgjë, madje edhe trupi jonë ka një limit kohor që mund të mbijetojë. Fryma e fortë që u krijua pasi u kthyem nga maja, të ftohtit dhe mungesa e oksigjenit, bëri që të mos kemi gjumë e poashtu kemi qenë edhe në rrezik. Andaj u detyruam që sa më shpejt të ikim për në kampin e mëposhtëm.
Pika e fundit për të komunikuar për ne, ka qenë kampi bazë, në lartësi 5400 m.
Për çka mendoni derisa ngjiteni lartësive?
Aventurat që i zgjedhim nuk janë gjithmonë të bukura e të këndshme siç duken, por ne vendosim të zgjedhim sfidën dhe ta kalojmë atë me një siguri maksimale. Varësisht nga ngjitja, krijohen momente të cilat nuk janë të njëjta, asnjëherë. Por, mund të tregoj çka mendoj kur të kthehem nga bjeshka: Dua te shkoj edhe njëherë!
Cilat aftësi dhe karaktere duhet patjetër t’i ketë një alpinist i mirë?
Të gjithë njerëzit që merren me sport janë të mirë dhe të gjithë kanë aftësi nëse punojnë me ata, por karakteri i fortë apo i dobët, zbulohet kur zgjedhin rrugën e realizimit të saj. Me punë ekipore dhe sjellje të mirë, kemi realizuar gjithmonë ekspedita, andaj e di që me shoqërinë që kam përreth jam dhe po e ndjek rrugën meritore.
Pos tjerash, keni pushtuar edhe shumë male tjera. Cila nga ato ngjitje ka qenë për Ju posaçërisht e vështirë dhe cila ju ka krijuar më shumë kënaqësi?
Për ne bjeshkët e vështira dhe kënaqësia janë në një vijë. E kam thënë edhe herëve tjera, por edhe tash pas realizimit të Everestit, jam e bindur që bjeshka e cila më ka lënë më së shumti përshtypje, është Matterhorn në Zvicër. Është ngjitje alpine ku përgatitja fizike kërkohet maksimalisht. Vulën e suksesit e kurorëzova me ngjitje ne Matterhorn, sepse më ka dhënë besim dhe forcë të mos ndalem. Ata që nuk kanë dëgjuar për të, i sugjeroj që të kërkojnë informate për këtë bjeshkë e poashtu mund ta gjejnë videon e ngjitjes në profilin tim.
Diku kam lexuar që alpinistët kanë motive të ndryshme. Cili është motivi juaj dhe çka ju tërheq në ato “lartësi”? çfarë ju nxit në atë aventurë vërtet të rrezikshme?
Nëse njëherë e sfidon veten në lartësi, atëherë nuk besoj që mund të ndalesh ndonjëherë. Motivi qëndron tek zbulimi vetvetes dhe kalimi i limiteve tona. Gjithmonë e them që, versionin më të mirë të vetes e kam gjetur në natyrë, ndërkaq përballja me bjeshkët e çfarëdo lartësie më plotëson nga brenda. Duke mbledhur kujtime dhe përvoja të reja, zgjerohet koncepti i të qenit një me natyrën, e mezi pres të kthehem nga ekspeditat dhe të ndajë përvojat me të tjerët. Unë nuk shoh rrezik, sepse e mposhtim atë me pasionin ndaj bjeshkës.
Për ç’arsye shkuarja në Himalaje është e veçantë?
Përpos bukurive madhështore të bjeshkëve të mbuluara me borë, të cilat të shoqërojnë gjatë gjithë rrugëtimit, më ka lënë përshtypje të veçantë kultura e tyre, sidomos mënyra e veçantë e jetesës së sherpave. Janë shumë shpirtëror, i frikohen bjeshkëve, sepse për ta bjeshkët janë Zot. Kuptimin e fjalisë: “Bjeshka ka fjalën e fundit” e kam kuptuar më së miri në këtë rrugëtim, andaj edhe i përulem asaj.
Kishit gjatë rrugës ndonjë moment që menduat të ktheheshit mbrapa?
Të vetmin moment që e kemi menduar si kthim ka qenë prishja e kohës, e cila është shumë e paparashikueshme, apo ndonjë fatkeqësi. Përndryshe, çdo plan i bërë nga sherpa jonë, ka qenë i saktë dhe i pranueshëm.
Thuhet se Himalajet ndryshojnë njerëzit. Si ju ka ndryshuar Juve?
Tash më shumë e di vlerën e gjërave të cilat nuk i vëren/sheh në jetën normale. Më ka bërë më të fortë dhe të gatshme për sfidat e radhës.
A është e vështirë të organizohen ekspeditat, duke pasur parasysh që nevojiten shumë para?
Më është dashur shumë mund dhe përgatitje për të arritur deri te realizimi i kësaj ekspedite për shkak te financave. Siç jeni në dijeni, ekspedita jonë është përgjysmuar për të tilla arsye. Por, mendoj rasti jonë, të jetë një dëshmi e mirë që, institucionet përgjegjëse, të vetëdijesohen më shumë, të analizojnë më mirë dhe ta ndajnë buxhetin me ata që e meritojnë dhe janë përfaqësim i denjë për vendin.
Keni parë dhe keni pushtuar male të larta dhe të njohura në gjithë botën. Cili është potenciali i maleve tona për zhvillim turizmi dhe ku është përparësia jonë, përkatësisht ku janë të metat?
Secili vend ka pasuritë e veta. Kosova ka bjeshkë mjaft të mira, jo vetëm bjeshkë, por edhe shumë atraksione tjera. Ne, së bashku duhet të punojmë e të zhvillojmë turizmin e vendin tonë. Një gjë të tillë e kam bërë në komunikim me një numër të madh bjeshkatarësh që kane qenë pjesë e ekspeditës së Everestit nga shumë shtete të ndryshme. Shumica prej tyre e njohin tash ku gjendet Kosova dhe se çfarë turizmi ka. Disa prej tyre më kanë premtuar që do ta vizitojnë Kosovën shumë shpejt dhe, me shumë krenari, jam gati t’ua prezantoj bukuritë tona.
Sa kohë gjatë vitit kaloni në ekspedita dhe sa kohë Ju mbetet për gjëra të tjera?
Nuk kalon mëngjes pa bërë një vrapim në Gërmi, të kombinuar me ushtrime force, bashkë me grupin CCFG. Me një përkushtim siç e kemi, të vrapimit dhe ushtrimeve të përcjella vazhdimisht me energji shumë të mirë, i kam realizuar të gjitha ekspeditat. Tash pas Everestit, kohen po e menaxhoj më mirë; puna ime lidhet me bjeshkët dhe natyrën, ku shumë shpejt do jem pjesë e zhvillimit të turizmit në Kosovë. Ta njohim më shumë Kosovën dhe ta përfaqësojmë atë.
Cilat janë planet e tjera dhe ç’është ajo që e dëshironi, por nuk e keni realizuar?
Synoj të arrij majat më të larta në shtatë kontinente.
A merreni edhe me diçka tjetër, pos alpinizmit?
Pos alpinizmit e dua shumë vrapimin. Dy vitet e fundit intensivisht jam marr me aktivitete fizike. Madje po ndjehem krenare që brenda kësaj kohe kam arritur ngjitjet alpine: Mount Blanc (Francë), Triglav (Slloveni), Kilimanjaro (Afrikë), Musala (Bullgari), Breithorn dhe Matterhorn (Zvicër), maratonat: Vjenë, Stamboll, Athinë, Bajram Curr, Ulqin-Shkodër. PADI-certifikim zhytje.
Nuk është e vështirë me qenë Arineta, vetëm ndjeke ëndrrën me pasion dhe punë.
Çfarë duhet të bëhet, në mënyrë që alpinizmi të popullarizohet dhe të jetë më afër një numri më të madh qytetarësh?
Alpinizmi dhe bjeshkataria janë duke u zhvilluar me një nivel të kënaqshëm në vendin tonë. Por ende ka hapësira të mëdha që nevojitet përmirësim dhe zhvillim, qoftë në informata, organizime e planifikime. Në Kosovë ka shumë organizime të cilat janë të hapura dhe është lehtë të bëhesh pjesë e tyre. Por, më shumë është zgjedhje individuale dhe ata me paragjykimin ‘nuk mundem’, i lus që ta provojnë të paktën vetëm një herë ecjen dhe – do ta kuptojnë të kundërtën.
Cila është këshilla Juaj për njerëzit të cilët dëshirojnë të merren me alpinizëm?
Ne bjeshkatarët jemi inspirim i njëri-tjetrit, arritja e një maje nga dikush bëhet ëndërr e synim për të tjerët. Unë jam një bjeshkatare shumë e re, ka shumë të tjerë të cilët e bëjnë bjeshkatarinë me profesionalizëm e kohë të gjatë. Andaj këshillat e tyre gjithmonë i kam marr për bazë dhe po i përcjellë tek të tjerët: Alpinizmi kërkon përgatitje fizike dhe mendore që nuk duhet neglizhuar, siguria në ngjitje është në rend të parë dhe ngjiti bjeshkët me pasion. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje