LAJMI I FUNDIT:

Arifi: Takimi i radhës në Bruksel me palën serbe më 26 shkurt

Arifi: Takimi i radhës në Bruksel me palën serbe më 26 shkurt

Shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi ka theksuar se më 26 shkurt do të jetë takimi i radhës në Bruksel me palën serbe.

Ai këto komente i ka bëri në Komisionin për Punë të Jashtme, ku ka prezantuar anëtarët e këtij ekipi, duke ftuar që të gjitha partitë politike të kenë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

“Ne asnjëherë nuk jemi takuar me përfaqësuesit serb në dialog. Më 26 shkurt, takimin e radhës, do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura, në të cilat ka pasur ngecje. Në shumicën e marrëveshjeve del se Kosova i ka kryer obligimet, ku secila marrëveshje është me rëndësi të implementohet. Shembull është marrëveshja për tabelat e veturave, ku për shkak të procedurave të tenderit të vonuara nuk kemi mundur t’i implemtojmë. Më pas e kemi marrëveshjen për energji që është vitale, ku ne si qeveri konsiderojmë se marrëveshja e arritur duhet të implemtohet. Synojmë përmbylljen e dialogut, edhe arritjen e bazës për arritjen e marrëveshjes politike”, ka shtuar Arifi.


Ai më tutje ka theksuar se ata po synojnë me mbyll dialogun në tërësi, dhe duhet të ketë sipas tij, zbatueshmëri të plotë për secilën marrëveshje veç e veç.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka kërkuar sqarime nga Arifi në lidhje me atë se cili do të jetë qëndrimi i ekipit negociator për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për Drejtësi.

Arifi ka thënë se qëndrimi për Asociacionin do të jetë në linjë me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, duke e respektuar sipas tij, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila herën e kaluar kishte gjetur 22 shkelje të Kushtetutës së vendit, në tekstin e këtij mekanizmi.

“Varësisht nga vendimi i Kushtetutës, do të bëhet draftimi ose amandamentimi i propozimit të ri. Kjo Qeveri nuk e pranon Asociacionin që përmban shkelje kushtetuese”, ka shtuar ai.

Sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit, pa u implementuar në tërësi marrëveshjet e arritura më parë. /Telegrafi/