Site icon Telegrafi

Arbnora Fejza-Idrizi merr certifikatën nga stafi i Librit Botëror “Guinness”

Kosova tashmë zyrtarisht mban rekordin botëror për lulen origami më të madhe në botë, të punuar nga Arbnora Fejza-Idrizi.

Fejza-Idrizi nga Skenderaj, me këtë lule me diametër prej 8.7 metrash, mposhti shtetin e Francës, që mbante këtë rekord me lulen origami me diametër prej pesë metrash.

Para disa ditësh Fejza-Idrizi mori certifikatën zyrtare të Librit të Rekordeve “Guinness”, të cilën e prezantoi sot para qytetarëve të Skenderajt.

Ajo u shpreh krenare që arriti ta shkruajë emrin e Kosovës në një libër të famshëm si “Guinness”.

Njëherësh, ajo pohoi se qysh në fillim të projektit, kishte gjetur përkrahje nga komuna e Skenderajt.

Lexo po ashtu Vajza nga Skenderaj hyn në librin e rekordeve Guinness

“Meqenëse ky art është i zhvilluar vetëm në Japoni dhe në Kosovë nuk njihet, atëherë unë pata fatin që ta prezantoj punën time dhjetë vjeçare në Librin e Rekordeve ku njëkohësisht u zgjodha fituese. Rruga drejt suksesit pa dyshim që ka sfida dhe vështirësi, mirëpo, dëshira dhe ëndrra ime ishte edhe më e madhe se të gjitha vështirësitë që kam hasur deri më tani”, ka thënë Fejza Idrizi.

Njëherësh, Fejza-Idrizi u bëri thirrje të rinjve që të punojnë për ëndrrat e tyre.

Në ceremoninë e prezantimit të certifikatës mori pjesë edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili tha se e gjithë Kosova duhet të krenohet me këtë arritje.

“Skenderaj dhe Drenica historikisht njihen për trimëri me bijtë dhe bijat e saj që i kanë dalë zot atdheut. Mirëpo, vepra e zonjës Arbnorë, është një rast tjetër i dëshmisë së gjallë se megjithatë Drenica do të njihet jo vetëm për trimëri, por edhe për talent dhe me njerëz me ide kreative që na bëjnë të ndihemi krenarë”, ka thënë Jashari.

Jashari po ashtu premtoi përkrahje për të rinjtë që kanë talent e ide kreative.

Në këtë rrugëtim Arbnorën e mbështetën shumë persona, në mesin e tyre edhe rekordmeni kosovar Agim Agushi.

Ai tha se në Kosovë jetojnë njerëz të mëdhenj, e bota duhet ta dijë këtë.

“Skenderaj, Arbnora, ne, të gjithë jemi krenarë që hymë në këtë libër të rekordeve ‘Guinness’. Mirëpo, është edhe për gjeneratat e reja, sepse duhet t’i tregojmë botës se Kosova edhe pse gjeografikisht është vend i vogël në Evropë, mirëpo, jetojnë njerëz të mëdhenj”, ka thënë Agushi.

Pas ceremonisë, u shfaq një dokumentar i cili shpalosi punën dhe sfidat e Arbnora Fejza Idrizit gjatë punimit të lules origami.

Në mungesë të letrës origami, Arbnora kishte përdorur letër kuzhine me përmasa 13×13 metra. Pasi arriti ta palosë 23 herë këtë letër, Fejza Idrizi formoi lulen origami më të madhe në botë, me diametër prej 8.7 metrash.

Me këtë rast, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, shpërndau mirënjohje për Fejza-Idrizin dhe gjithë ekipin që ndihmuan në realizimin e këtij projekti.

Ndërkaq, Arbnora Fejza-Idrizi tashmë po përgatitet për një rekord të ri. Bëhet fjalë për ndërtimin e vazos më të madhe në të cilën do të jenë flamujt e shteteve që kanë njohur Kosovën. /Telegrafi/

Exit mobile version