Aktori shqiptar që jeton dhe vepron në Norvegji, Arben Bala, ka ndarë detaje rreth projekteve të tij të fundit filmike.
Bala ka folur për rolin e tij në serialin e ri “Pernille”, ku ai interpreton një psikolog.
Seriali, i cili tashmë është lansuar në Netflix, po gëzon një popullaritet të madh në Skandinavi dhe është ndër serialet më të shikuara në rajon.
“Roli im në serial është ai i një psikologu bashkëpunues dhe mbështetës i Perniles”, shpjegon Bala.
“Eroni është një person i qetë, reflektues dhe empatik, që vepron si një kundërpeshë ndaj përditshmërisë kaotike të Perniles. Personazhi im sjell një perspektivë që ndihmon jo vetëm fëmijët dhe familjen, por edhe Pernilen kur ajo ka nevojë për mbështetje”.
Përveç suksesit në këtë serial, Bala ka zbuluar se është i angazhuar në projekte të tjera të mëdha.
Ai ka përfunduar një libër që do të publikohet në shkurt të vitit 2025 dhe aktualisht po mban ligjërata në vende të ndryshme të Norvegjisë për këtë libër.
Ndërkohë, ai thotë se është në bisedime me Teatrin Kombëtar për një shfaqje teatrale dhe ka nisur kontakte për të zhvilluar një tjetër serial televiziv.
Një nga arritjet e fundit të Balës është pjesëmarrja në një projekt të Hollywood-it, për të cilin ai tregon me entuziazëm.
Gjatë korrikut, Bala kishte një takim me një produksion të Hollywood-it që po xhironte në Norvegji, dhe pati fatin të jetë pjesë e këtij projekti.
Në mënyrë të veçantë, Bala ndau një gjest bujarie që bëri gjatë këtij projekti.
“Në filmin Hollywoodian nuk kam marrë para për projektin. E dua shumë Kosovën dhe, duke ditur ndihmën e madhe që ka dhënë Amerika për ne, nuk desha të marr pagesë nga ky projekt. Ky ishte një gjest që doja ta bëja”, përfundoi Bala.
Arben Bala vite më parë fitoi Palmën e Artë të Festivalit të Kanës me suksesin e rolit të tij në serialin norvegjez, “Countrymen”.
Të fitosh çmim në Festivalin e Kanës është e rrallë për një shqiptar, por Arbeni për Telegrafin tregoi se ky vlerësim nga një juri e rangut botëror erdhi si fryt i një pune të palodhur disavjeçare.
Seriali “Countrymen” i regjisorit shqiptar Izer Aliu renditet si një prej serialeve më të shikuara të vitit 2021 në Norvegji, me një vlerësim mbi tetë (8) në IMDb.
Ndërsa renditet si njëri prej 13 serialeve më i shikuar në botë. /Telegrafi/